Shtetet e Bashkuara po paralajmërojnë Kinën kundër ndihmës materiale dhe të sigurisë për Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, duke përcaktuar një vijë të kuqe nga Uashingtoni në prag të vizitës së Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Pekin në fillim të shkurtit.

Të martën, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Kinën, Michael Chase bisedoi me zotin Song Yanchao, zëvendësdrejtor i Zyrës së Kinës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Ushtarak pranë Komisionit Qendror Ushtarak, sipas një zyrtari amerikan i cili foli me Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti. Bisedimet ndërushtarake të kësaj jave vijnë ndërsa Uashingtoni po ndjek nga afër çdo vendim të Republikës Popullore të Kinës në përgjigje të kërkesave ruse për ndihmë sigurie. Zyrtari amerikan theksoi njoftimet për fluturime të shumta në Kinë të avionëve rusë të transportit.

“Nuk kam një vlerësim të ri për të ofruar”, i tha Zërit të Amerikës javën e kaluar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, kur u pyet nëse ende qendronte vlerësimi i Uashingtonit se Pekini nuk po ofron ndihmë sigurie për Rusinë.

“Nëse shohim që Pekini merr masa për të ndihmuar në mënyrë sistematike Rusinë për t’iu shmangur sanksioneve, sigurisht që do të ketë kosto”, tha zoti Price.

Bisedimet dy-orëshe të së martës erdhën pasi Kina hodhi poshtë një propozim amerikan për bisedime midis Sekretari të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Ministrit të Mbrojtjes të Kinës Wei Fenghe për menjanimin e konfliktit ushtarak në fillim të këtij muaji.

Ministri kinez, Wei, del në pension në muajin mars. Li Shangfu, një anëtar i ri i Komisionit Qendror Ushtarak të Partisë Komuniste Kineze shihet gjerësisht si ministri i ardhshëm i mbrojtjes kombëtare të Kinës.

Shtetet e Bashkuara i vunë sanksione zotit Li në vitin 2018 për shkak të blerjeve të avionëve luftarakë rusë dhe sistemeve raketore të avancuara. Por sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, sanksionet ndaj zotit Li nuk do ta pengonin atë të zhvillonte takime me zyrtarët amerikanë.

Gjatë bisedimeve të së martës, tha për Zërin e Amerikës zyrtari amerikan, Kina gjithashtu ngriti shqetësime për një vizitë të mundshme në Tajvan nga udhëheqësi i ri republikan i Dhomës së Përfaqësuesve,

Kevin McCarthy. Zoti McCarthy tha vitin e kaluar se do të vizitonte Tajvanin nëse do të merrte postin, veprim që do të zemëronte Kinën.

Kina pretendon sovranitet mbi demokracinë e vetëqeverisur, një pretendim i hedhur poshtë nga Tajvani./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: