Papa Françesku i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të ndalë “këtë spirale të dhunës dhe vdekjes” duke iu referuar luftës në Ukrainë.

Deklaratat e Papës të bëra më 2 tetor gjatë lutjeve publike në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, janë disa prej deklaratave më të forta që ai ka bërë qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

“Apeli im i drejtohet fillimisht presidentit të Federatës Ruse, duke iu lutur atij që të ndalë – për hir të popullit të tij – këtë spirale të dhunës dhe vdekjes”, tha Françesku.

“Në anën tjetër, i pikëlluar nga vuajtjet e mëdha të popullit ukrainas pas agresionit, i drejtohem me një apel presidentit të Ukrainës që të jetë i hapur për propozime serioze të paqes”, shtoi Papa.

Lideri i Kishës Katolike po ashtu dënoi rrezikun në rritje të një lufte bërthamore, duke e quajtur “absurde”.

“Ndiej keqardhje të madhe për situatën serioze që është krijuar ditëve të fundit, me veprime të mëtejme që bien ndesh me parimet e ligjit ndërkombëtar”, tha ai.

“Në fakt, rrit rrezikun e një përshkallëzim bërthamor deri në pikën e frikës nga pasoja të pakontrollueshme dhe katastrofale për mbarë botën”, shtoi ai.

Komentet e Papës vijnë dy ditë pasi Putin njoftoi se Rusia po anekson katër rajone të Ukrainës, që janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.

Në fjalimin e Putinit, më 30 shtator, ai po ashtu bëri kërcënime lidhur me përdorimin e armëve bërthamore në konflikt, duke përsëritur kërcënimet e mëparshme kur ai paralajmëroi Perëndimin se nuk po bënte “blof”.

Kremlini ende nuk ka reaguar për komentet e Papës./ REL

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb