Burimi i Sinecit në fshatin Lumas të Kuçovës është shndërruar në mollë sherri mes banoreve dhe firmës Salillari, e cila muaj më parë ka nisur të kryejë punime në zonë, duke i prezantuar ato si zbatim të një projekti për ndërtimin e një ujësjellësi.

Banorët pretendojnë se skenarë të tjerë fshihen pas këtij projekti, pasi uji në fshat nuk mungon. Pasi çështja u kallëzua në SPAK prej tyre, puna u pezullua në pritje të ekspertëve. Por ditët e fundit, punonjës të firmës Salillari janë rikthyer në fshat.

Banoret thonë se firma po heq tubat e vendosur përgjatë këtyre muajve me qellim që të zhdukë provat e punimeve në burimin e Sinecit përpara se në zonë të mbërrijnë inspektoret e SPAK. Këto veprime që janë kryer edhe gjatë natës irrituan banorët e Lumasit, të cilët protestuan sërish këtë të shtunë duke bllokuar sipas tyre, përpjekjet e firmës për zhdukjen e provave.

Avokati i banorëve, Arben Llangozi thotë se aferat korruptive në burimin e Sinecit janë denoncuar tashmë në SPAK dhe ky fakt ka shqetësuar firmën Salillari. Sipas tij leja për shfrytëzimin e burimit të Sinecit për ujësjellës është në kundërshtim me ligjin pasi zona është pasuri publike dhe monument natyre. Beteja e banorëve dhe protestat e tyre për burimin e Sinecit vijojnë prej muajsh dhe ata shprehen të vendosur nuk do lejojnë askënd që ta prekë atë.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb