Macet e ish-spiunit, lepuri i bardhë i “Lizës në botën e çudirave” dhe madje Sherlock Holmes… Moska dhe Londra, dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kanë pasur shkëmbime qesharake në luftën e tyre diplomatike rreth çështjes Skripal.

“Ne jemi në teatrin absurd”, u shpreh ashpër gjatë një takimi të instancës më të lartë të OKB-së, ambasadori rus, Vassily Nebenzia duke dënuar akuzat e pabaza që përfshijnë Moskën në helmimin më 4 mars të ish-spiunit, Serguei Skripal dhe vajzës së tij, Julia.

Pak pas kësaj, para disa homologëve, herë herë të menduar, diplomati bëri një sërë pyetjesh për ambasadoren britanike, Karen Pierce si: “Çfarë ndodhi me macet e Skripal që jetonin në shtëpinë e tyre, që mendohet se duhet të ishin të kontaminuara? “Kishte dy mace, dy kavje Indie. Çfarë u bë me ato? Çfarë ndodhi me këto kafshë? Pse askush nuk flet për ato? Fati i tyre është gjithashtu një element prove i rëndësishëm”.

Sipas, Vassily Nebenzia, e gjithë kjo çështje mund të jetë fryt i një mega provokimi nga shërbimet sekrete të disa vendeve, raporton atsh.

Në fund të takimit, ambasadori rus kërkoi të rimerrte fjalën, por këtë herë të lexonte në anglisht një pjesë nga tregimi “Liza në botën e çudirave”, përsa i përket mungesës së provave. Në skenë, një “lepur i bardhë”, “një mbret”, “një mbretëreshë”…

Para gazetarëve, Karen Pierce ka preferuar të ironizojë kërkesën e shprehur të Vassily Nebenzias duke iu referuar shpesh Sherlock Holmes.

“Të lejosh për shkencëtarët rusë të hetojnë në një çështje, në të cilën ata janë autorët më të mundshëm të krimit… do të ishte sikur Scotland Yard të ftonte profesorin Moriarty, armiku kryesor i Sherlock Holmes, të marrë pjesë në investigime”, theksoi ajo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb