LUKSEMBURG– Bashkimi Evropian u shpreh i gatshëm për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike duke përfshirë këtu dhe sanksione kundër autorëve të tyre ose shteteve.

Të mbledhur në Luksemburg, shefat e diplomacisë së 28 shteteve anëtare të BE-së miratuan një paketë masash kiberdiplomatike, disa javë pas valës së sulmeve botërore përhapur nga virusi WannaCry.

“Bashkimi Evropian është i shqetësuar nga kapaciteti dhe vullneti në rritje i aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërorë për të vazhduar objektivat e tyre nëpërmjet aktiviteteve kibernetike”, theksoi Këshilli, që përfaqëson 28 shtetet anëtare, në një komunikatë.

“Aktivitete të tilla mund të përbëjnë akte të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare dhe janë të pranueshme për t’i lënë vendin një përgjigjeje të përbashkët nga BE, tashmë e aftë për të marrë një sërë masash duke përfshirë këtu dhe sanksione në rast të sulmeve kibernetike kundër një prej anëtarëve të saj”, shtoi BE.

BE theksoi gjithashtu se përgjigja e saj do të ishte në varësi të shkallës, kohëzgjatjes, intensitetit, kompleksiteti, sofistikimi dhe ndikimit të aktivitetit kibernetik.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb