Partizani është shndërruar në një vorbull zhvillimesh në këtë fillim viti. Pas largimit të Ilir Dajës, klubi ka nisur të ndryshojë nga themelet. Në drejtim erdhën dy Dritanë, Mehmeti në krye të stolit dhe Dervishi në krye të merkatos. Pas ardhjes së Kallakut, Skukës dhe Bitrit, te Partizani merkatoja po përjeton një ngërç.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime pranë skuadrës se shkak i këtij bllokimi është një mosmarrëveshje e drejtuesve me njëri-tjetrin, saktësisht drejtorëve Olsi Rama e Dritan Dervishi dhe trajnerit Mehmeti. Me sa duket mes palëve nuk ka një akord mbi emrat e propozuar në merkato për të përforcuar skuadrën, por ka gjithashtu mosmarrëveshje mbi mënyrën se si po punohet brenda klubit, me lëvizjet që po bëhen në skuadër dhe hierarkinë e të kuqve. Për momentin është një luftë e ftohtë midis tyre. Sigurisht, çdo problem e ka një zgjidhje, ashtu siç e ka edhe kjo mosmarrëveshje mes tyre. Një takim dhe shkoqitje e të gjitha mosmarrëveshjeve do të ishte lëvizja e duhur e palëve, kur koha nuk premton shumë dhe merkatoja është shumë e vrullshme.

SHKURTAJ DHE AUGUSTO – Mes përplasjeve të mendimeve të drejtuesve të kuq, bën pjesë edhe Vasil Shkurtaj. Vlonjati e ka përfunduar kontratën në Kinë dhe është i hapur për rikthimin në Superiore, teksa disa klube janë pranë shërbimeve të tij. Partizani, Kukësi dhe Vllaznia janë të deklaruar deri më tani. Të kuqtë ishin më pranë sulmuesit, por mosmarrëveshjet mes drejtuesve e kanë bërë thuajse të pamundur këtë transferim. Drejtori Olsi Rama, ka dalë kundër vullnetit të Mehmetit e Dervishit për ish-bomberin e Luftëtarit me argumentin se klauzola e largimit, e kërkuar nga pala e lojtarit, është e papranueshme.

Në këto kushte, Shkurtaj është “detyruar” të nisë negociatat me Kukësin, ku për hir të së vërtetës, nuk u nda në paqe kur u largua para rreth dy vitesh. Gjithsesi, koha shëron gjithçka dhe duket se palët janë shumë pranë akordit për t’u ribashkuar në këtë merkato të janarit. Përveç Shkurtajt, një tjetër lojtar i projektuar për të ardhur është drejt rrugës së kthimit. Fernando Augusto, i cili ka arritur akordin parimisht prej ditësh, është bërë gjithashtu pjesë e kësaj përplasjeje mes drejtuesve dhe shanset që ai të mos transferohet te të kuqtë janë shumë të mëdha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb