Përfunduan Lojërat Olimpike në Tokio, por kriteret e suksesit janë të diskutueshme. Ato promovojnë nacionalizma, mendon redaktoja e DW, Sarah Wiertz.

E njëjta lojë çdo herë: beteja për tabelën e medaljeve në Lojërat Olimpike – një disiplinë më vete. Në ditën e fundit të Lojërave Olimpike 2020/21, SHBA-ja kaloi Kinën në renditjen zyrtare – një medalje ari më shumë se Republika Popullore e Kinës. Por SHBA gjithsesi doli e para, bëhet fjalë për sasinë – domethënë numrin e të gjitha medaljeve – e në këtë klasifikim, ka madje shumë më tepër medalje sesa Kina. Suksesi në Lojërat Olimpike është shpesh një çështje e numërimit dhe e perspektivës së atij që numëron.

Kush i përcakton kriteret për tabelën e medaljeve?

Kjo është një luftë e padenjë që duhet të hiqet nga programi olimpik. Sepse renditja e medaljeve pasqyron vetëm rezultatin, por jo edhe vet gjenezën dhe zhvillimin e një pozicionimi të suksesshëm. Lufta për klasifikim të domosdoshëm provokon përdorimin e dopingut të kontrolluar nga shteti dhe preferon më shumë sportet individuale sesa ato ekipore. Ndërsa shtetet investojnë edhe më shumë para në disa sporte.

Po të vendosej në korelacion numri i medaljeve me numrin e banorëve dhe produktin kombëtar bruto të një vendi, atëherë do të kishim një tabelë krejt ndryshe. Në vendin e parë do të ishin Xhamajka, Bahama apo Kosova.

Tabela e medaljeve mishëron idenë olimpike të përpjekjes për performancë sa më të lartë – por vetëm në kurriz të vlerave të tjera olimpike – atë të një festivali të përbashkët sportiv për të kapërcyer egoizmat kombëtarë, për të dhënë një kontribut për paqen dhe mirëkuptimin ndërkombëtar.

Kush përfiton nga pasqyra e medaljeve?

Por tabela e medaljeve përdoret nga disa kombe për të demonstruar fuqinë dhe forcën e tyre dhe për të qenë në gjendje të mbështesin sistemet e tyre politike me ndihmën e atletëve të suksesshëm. Medaljet festohen si një arritje me rëndësi kombëtare. Forcohen nacionalizmat, që çojnë në shpërthime politike e ndonjëherë edhe në tragjedi personale.

Ekipi kinez i përzier i pingpongut ka kërkuar falje publikisht dhe me lot në sy, për fitimin “vetëm” të medaljes së argjendtë. “Ne e kemi dëshpëruar ekipin”, tha Liu Shiwen, ndërsa Xu Xin tha: “I gjithë vendi po e shikonte këtë finale. Mendoj se ekipi kinez nuk do ta pranojë këtë rezultat.”

Presioni mbi atletët kinezë për shkak të aspiratave hegjemoniste të vendit ndoshta nuk ka qenë kurrë më i madh. E barra e pritjeve me gjasë do të shtohet, vetëm rreth gjashtë muaj para fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore 2022, të cilat do të zhvillohen në Pekin./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb