KUMANOVË- Situata vijon të jetë e rëndë në Kumanovë, kur mbetet ende i paqartë numri i viktimave, identitetet e tyre, kur SHBA e BE apelojnë për qetësi, Maqedonia zyrtare ka deklaruar se ndërhyrja ka qenë kundër një grupi terrorist që kishin planifikuar sulme ndaj institucioneve të shtetit. Policia deklaroi se aksioni ka përfunduar dhe se u shkatërrua “një nga gruptet kriminele më të rrezikshme në Ballkan”. Ata, sipas policisë, ishin të UCK-së. Madje dhe vetë kryeministri Gruevski i cilësoi terroristë, 14 personat e vrarë në përleshjen me policinë. Ai tha se edhe 8 policë humbën jetën gjatë konfliktit. Por deri në mesnatë ende nuk ka asnjë të dhënë për civilë të pafajshëm, të vrarë apo plagosur. Rreth mbrëmjes banorët e lagjes së Trimave janë lejuar të kthehen në banesat e tyre.

Anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare kanë dënuar ashpër prishjen e rendit dhe qetësisë nga ana e grupit të armatosur që kishte për qëllim destabilizimin e vendit. Kështu u shpreh pas përfundimit të mbledhjes presidenti Gjorge Ivanov, raporton Alsat-M.Ai tha se për këtë grup kishte njoftuar më herët edhe shërbimet në rajon dhe Evropë por se këmbimi i informatave nuk dha rezultate.

Ivanov tha se nuk do të lejojë përshkallëzimin e tensioneve dhe prishjen e marrëdhënieve ndëretnike. Sipas tij kjo i kushtoi shumë vendit andaj duhet të ketë edhe përgjegjësi për të.
Presidenti kërkoi nga liderët politik që ti rikthehen dialogut politik dhe të kërkojnë zgjidhje për krizën politike. Konkluzat nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë e cila zgjati 2 orë do të jepen plotësisht.
Ndryshe në mbledhjen e sotme për herë të parë u ftuan të marrin pjesë edhe liderët e partive më të mëdha politike.

Partitë shqiptare BDI e PDSH u përfaqësuan nga deputetët Talat Xhaferi dhe Imer Aliu ndërsa nga LSDM mori pjesë lideri i saj Zoran Zaev i cili tha se pjesëmarrja e tij është për shkak të situatës së sigurisë në vend. Mbledhja e sotme filloi me një minutë heshtje në nder të policëve të vrarë në përleshjet në Kumanovë.

BANORËT KTHEHEN NË SHTËPITË E TYRE
Ora 20:00- Banorët e Lagjes së Trimave në Kumanovë filluan të kthehen në shtëpitë e tyre. Policia ju dha leje qe mund lirisht te kthehen ne shtepit e tyre.Ky lajm u prite me gezim te madh nga qytetaret.
Një nëpunëse e MPB-së pranë qytetarëve të grumbulluar në rrugën hyrëse të kësaj lagje kanë informuar mediat dhe qytetarët që brenda ditës do të kthehen në shtëpinë e tyre.

Ajo theksoi se gjatë orëve në vijim mund të kthehen banorët, por edhe të hyjnë ekipet e gazetarëve. Ajo theksoi se për momentin po kryhet pastrimi i plotë i terrenit dhe mundësia e evitimit të ndonjë mjeti shpërthyes nga zona ku u zhvilluan luftimet. Por Lagja kuu zhvilluan luftimet nuk ka rrymë elektrike dhe ujë.

Situata në vendet tjera ka filluar që të stabilizohet, ndërsa në këto rrugë ekipet e hetimit dhe ato të OSBE-së ende po vazhdojnë ekspertizën dhe verifikimin e gjendjes në terren. Policia kërkoi banorët të lirojnë edhe pjesën në sheshin në të cilin zakonisht zhvillohet pazari, në mënyrë që të pastrohet e gjithë Lagja e Trimave në Kumanovë.

TERHIQEN AUTOBLINDAT

REAGON GRUEVSKI
Ora 16:30- Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka konfirmuar informacionet e MPB-së për 8 policë të cilët kanë humbur jetën dhe 37 të tjerë që janë plagosur. Ai ka thënë se të plagosurit shumë shpejt do të kthehen në shtëpitë e tyre.

“I falënderoj të gjithë policët të cilët kanë marrë pjesë në këtë operacion më të komplikuar deri më tani. Gjatë ditës së djeshme kishte media që të tërhiqet urrejtje te shqiptarët, kurse grupi nuk gjeti mbështetjen e popullatës. Kjo s’është përleshje mes shqiptarëve dhee maqedonasve, por i atyre që e ruajtën kushtetutën dhe shtetin dhe atyre që e sulmuan atë”, tha Gruevski.

“Dje dhe sot pas një përleshje 24 orëshe policia maqedonase arriti të asgjësojë grupin e armatosur. Aksioni i djeshëm ishte një ndër aksionet më të vështira deri më tani. Aksionin e kanë koordinuar dhe udhëhequr profesionistë të MPBsë. Gjatë aksionit kanë marrë pjesë të gjitha bashkësitë etnike, ata kanë
zhvilluar një aksion heroik, kanë arritur që të asgjësojnë grupin e armatosur. Për fat të keq 8 policë kanë humbën jetën. Humbëm 8 persona të cilët penguan ndoshta vdekjen e 8 mijë njerëzve”,­ka thënë Gruevski sipas mediave maqesonase.

“Rreth 30 terroristë, pas luftës disaorëshe janë dorëzuar. Të njëjtët janë arrestuar dhe do të gjykohen në Maqedoni. 14 trupa të personave të grupit janë gjetur të vdekur dhe po mësohet identiteti i tyre. Një numër i konsidreueshëm prej tyre janë pjesë e sulmit në Gushincë”.

“Qëllimi tyre do të hetohet më tutje. Qëllimi i tyre ishte destabilizimi i Maqedonisë. ka pasur koordinim ndërmjet institucioneve të shtetit, ndërmjet policisë dhe ushtrisë. Koha e veprimit ishte bërë në momentin e duhur”, tha Gruevski.

POLICIA: AKSIONI PËRFUNDOI, SHKATËRRUAM GRUPIN MË TË RREZIKSHËM NË BALLKANI, ISHIN TË UÇK
Ora 15:00- Ndërkaq, zëdhënësi i policisë së Maqedonisë, Ivo Kotevski në një konferencë për media ka deklaruar se aksioni policor në Kumanovë ka përfunduar dhe në vazhdim pritet të shkojnë në vendin e ngjarjes organet hetimore. Kotevski theksoi se janë 14 trupa të vrarë të grupit të armatosur, por ai nuk ka përjashtuar edhe viktima të tjera. Teksa tha se jane vrare 8 police.

Sipas policisë, grupi është udhëhequr nga 5 persona kryesorë, tre prej të cilëve janë dorëzuar. Në mesin e të dorëzuarve nuk bën pjesë Mirsad Ndrecaj – NATO, ndërsa të gjithë pjesëtarët e përfshirë në këtë konflikt kanë qenë pjesë e Brigadës 113 të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare.

“Janë dorëzuar rreth 30 persona të tjerë, kurse në vendin e ngjarjes janë gjetur shumë armë. Duke pasur parasysh se gjatë kohë e kanë sulmuar policinë kanë pasur snajper, bomba dhe topa dore”.

“Në mesin e muajit maj kanë planifikuar të bëjnë aksione të ndryshme. Në momentin kur u vërtetua lokacioni i kemi sulmuar. Në fillim të muajit maj ata kanë hy. Nëse ka bashkëpunëtor të tjerë do të shifet. Operacioni në terren ka përfunduar, qytetarët të tregojnë edhe pak durim. Duhet të sigurohen provat materiale. Të merren trupat”.

“Është eliminuar një prej grupeve më të rrezikshme në Ballkan. Aksioni ka përfunduar”, tha Kotevski.

Dje, gjatë orëve të mbrëmjes, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska deklaroi gjatë një konferencë për shtyp se grupi i armatosur i është dorëzuar policisë. Nga ana tjetër, pjesëtar të këtij grupi gjithashtu kanë deklaruar për mediat se qeveria e Maqedonisë ka përhapur dezinformata se janë arrestuar pjesëtarë të UÇK-së. Sakaq, deri më tani kanë humbur jetën 8 policë, një nga të cilët është shqiptarë.

Në një lidhje telefonike për News24, një nga ushtar i UÇK-së, deklaroi se asnjë anëtar i kësaj ushtrie nuk është dorëzuar, ashtu sikur pohoi ministria e Brendshme maqedonase. “Asnjë ushtar nuk është dorëzuar nga ne. Nga sulmi i sotëm nuk ka asnjë të vrarë civil. Ndërsa gjatë përleshjes së djeshme u vranë 3 civil dhe pati disa të plagosur’, tha anëtari i UÇK-së.

VIDEO E ARRESTIMEVE NE KUMANOVE

NGJARJA
Gjithçka nisi në orën 5:00 të mëngjesit të djeshëm në lagjen “Trimat” kur shpërthyen krismat e armëve, që zgjatën për gati dy orë duke tmerruar banorët. Forca të shumta ushtarake dhe policore rrethuan Kumanovën, pasi sipas Ministrisë së Brendshme kishte informacione se një grup i fshehur do të sulmonte institucionet. Zyrtarisht autoritetet maqedonase thanë se policia ndërhyri pas informacioneve se “një grup i armatosur po bëhej gati të kryente sulme terroriste”.

Po ashtu, në deklaratën e ministrisë thuhej se grupi i armatosur ka hyrë ilegalisht në Maqedoni nga një shtet fqinj, pa e përcaktuar se nga cili. Sipas mediave vendëse shqiptare dhe maqedonase, bilanci i viktimave ka shkuar në 10 teksa janë plagosur shumë të tjerë. Zyrtarisht ministria e Brendshme Maqedonase pohoi se nga sulmi kanë mbetur 8 policë të vrarë, ndërsa janë plagosur të paktën 30 persona.

Ndërkohë, në rrugë jozyrtare u fol se kishin humbur jetën dhe 5 civil, mes tyre një vajzë 8 vjeçe, por lajmi deri tani ngelet i pakonfirmuar. Sakaq, mediat maqedonase transmetuan se kishin humbur jetën dhe 5 anëtar nga grupi i armatosur, gjë që u hodh poshtë nga këta të fundit. Gjatë një lidhje direkte për News24, dje një anëtar i UÇK-së pohoi se në radhët e tyre nuk ka asnjë të vrarë.

EURODEPUTETJA FAJON: E PATOLERUESHME DHUNA NË MAQEDONI, S’KA BASHKËPUNIM QEVERI-OPOZITË
Eurodeputetja Tanja Fajon ka shprehur shqetësimin e saj për situatën e tensionuar politike në Kumanovë të Maqedonisë, ndërsa ka deklaruar se dhuna është e patolerueshme. Teksa ka shprehur keqardhje për humbjen e jetëve të njerëzve, Fajon ka pohuar se partia në pushtet dhe opozita nuk bashkëpunojnë. Keqardhje për humbjen e jetëve të njerëzve.

“Më vjen keq për jetët e humbura dhe personat e plagosur, dhe jam shumë e shqetësuar për shkak të situatës politike të tensionuar, ku partia në pushtet dhe opozita nuk mund të bisedojnë me gjuhën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit”, tha Fajon. Ajo shtoi se “Protestat e javës së kaluar treguan se sa të pakënaqur janë qytetarët nga pushteti i tanishëm, por e gjithë kjo që po ndodhë në Kumanovë është alarmuese. Me rëndësi është të ndërpritet dhuna, të pengohet eksalimi i situatës”, tha Tanja Fatjon, eurodeputetja sllovene në rrjetin social ‘Twitter”.

SHPALLET GJENDJE E JASHTËZAKONSHME
Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në qytetin e Kumanovës, për shkak të tensioneve dhe ashpërsimit të situatës. Lajmi bëhet i ditur nga mediat maqedonase, ndërsa mësohet se lagja e “Trimave’ ndodhet në shtetrrethim total dhe nën mbikëqyrjen e forcave të mëdha policore. Kryetari i Komunës së Kumanovës, Zoran Damianovski përmes një konferencë për media ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë pjesë të Maqedonisë të banuar me shqiptarë. Sipas Daminovskit, gjatë ditës diel janë plagosur dy policë, në mëngjes gjatë një shkëmbimi me zjarr, raporton nga atje gazetari i Klan Kosovës.

Daminovskit ka folur edhe për civil të lënduar të dielën dhe se ka shtëpi të djegura. Ai ka bërë të ditur se po mobilizohen për të pritur kthimin e atyre refugjatëve të larguar nga situata e krijuar në Kumanovë. Kryetari i komunës, raportohet të ketë thënë se është krijuar edhe një qendër e thirrjeve ku banorët mund të kërkojnë ndihmë në çdo kohë. Po ashtu, i pari i Kumanovës njoftoj edhe për ndërprerjen e mësimit në shkollat atje, për shkak të kësaj gjendje të jashtëzakonshme. Ndryshe, në orët e para të mëngjesit, rreth orës 7 raportohet se përsëri janë dëgjuar të shtëna. Gazetaret as sot nuk kanë mundur të kalojnë në zonën ‘e nxehtë’ të krizës, ku po zhvillohet konflikti.

SERBIA MBYLL KUFIRIN ME MAQEDONINË
Serbia po i përcjellë me kujdes zhvillimet në Maqedoni dhe do të veprojë konform tyre thonë autoritetet serbe. Autoritetet serbe kanë mbyllur kufirin me Maqedoninë, në Tabanocë dhe nuk lejojnë hyrjen e personave të zhvendosur nga Lagjja e ‘Trimave’ të Kumanovës në Preshevë. Për këtë çështje, kryeministri serb, Aleksander Vuçiq ka thirrur shërbimet e sigurisë në mbledhje kordinative. Sipas tyre, disa familje serbe dhe 397 shqiptarë janë nisur drejt Serbisë pasi kanë lënë Kumanovën.

EMRAT E DISA PREJ TË ARRESTUARVE DJE NË KUMANOVË
Mediat maqedonase kanë siguruar emrat e personave të arrestuar ditën e djeshme në Kumanovë. Del të jenë pothuajse tri familje të arrestuara. Thuhet të jenë civil dhe të mos kenë pasur lidhje me incidentin. Më e vjetra është një ‘loke’ 80 vjeçare e më i riu në fëmijë 3 vjeçar.
Këta janë të arrestuarit:
Seferi Sulejman Seferi
Xhemile Seferi 80 vjeçare
Seferi Seferi 57 vjeçar,
Turkene Seferi 55 vjeçare,
Fitor Seferi 45 vjeçar,
Zejnije Seferi 42 vjeçare
Fëmijët e Fitor Serferit: Arif Seferi 16 vjeçar, Dafina Seferi, 11-vjeçe, Yllza Seferi, 3-vjeçare,
Halit Sulejmani, 62-vjeçar,
Mevulude Sulejmani, 60-vjeçare,
Afrim Sulejmani,
Lumnije Abazi, 45-vjeçare, së bashku me djemtë Valmirin, 8-vjeçar edhe Valtoni, 5-vjeç.

IVANOV MBLEDH KËSHILLIN E SIGURISË, FTON ZAEVIN, AHMETIN E THAÇIN
Presidenti Gjorge Ivanov për sot pasdite ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në format të zgjeruar e cila pritet të diskutoj zhvillimet në Kumanovë. Në këtë mbledhje përveç anëtarëve të saj janë thirrur edhe liderët e partive më të mëdha në vend, lideri i LSDM-së Zoran Zaev, lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe lideri i PDSH-së Menduh Thaçi. Pas përfundimit të mbledhjes, presidenti Ivnov do të ketë një paraqitje për opinionin. Në përbërje të Këshillit të Sigurisë janë edhe kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i parlamentit, ministri i brendshëm, ai i jashtëm dhe ministri i mbrojtjes si dhe tre anëtarët tjerë, Naser Sejdini, Flora Kadriu dhe Veli Kreci.

PËRGËNJESTROHET VDEKJA E POLICIT SHQIPTAR BESNIK BALA
Ndërkohë, pak orë më parë u raportua lajmi se Besnik Bela kishte humbur jetën gjatë sulmit, fakt i cili është hedhur poshtë. Në mediat maqedonase është publikuar një foto e Besnikut nga spitali i Shkupit, ndërsa bëhet e ditur se ai është jashtë rrezikut për jetën.

Në një foto të dërguar nga mjekët e Spitalit Klinik të Shkupit shihet se mjekët shqiptarë Bujar Osmani dhe Arben Limani po kujdesen për policin e plagosur.

IDENTIFIKOHET POLICI SHQIPTAR I VRARË NË PËRPLASJET NË KUMANOVË
Identifikohet polici shqiptar i vrarë në radhët e forcave policore të Maqedonisë gjatë sulmit të djeshëm në Kumanovë. Bëhet fjalë Isamedin Osmani, nga Studeniçani i Shkupit. Sakaq, u përfol se humbi jetën dhe Besnik Belën, pjesëtar i njësisë speciale, por lajmi u përgënjeshtrua. Ndërkohë, pritet që MPB të jap hollësi dhe të zbardh identitetin e dy policëve të vrarë gjatë sulmit të sotëm. Numri i punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës është 8 deri më tani.

ARRIN NË 7 NUMRI I POLICËVE TË VRARË
ka arritur në 7 numri i policëve që kanë humbur jetën nga sulmi mes forcave policore dhe një grupi të armatosur. Ditën e djeshme u konfirmua zyrtarisht nga Ministria e Brendshme maqedonase se 5 efektivë kishin humbur jetën. Ndërkohë, ditën e sotme mediat kanë pohuan se numri i viktimave në radhët e policisë ka shkuar në 7. Po sipas mediave, në mesin e viktimave është një polic shqiptar nga Studeniçani i Shkupit.

QEVERIA E MAQEDONISË SHPALL DITË ZIE
Qeveria e Maqedonisë ka shpallur dy ditë zie pas sulmit me armë zjarri, mes policisë dhe një grupi të armatosur, ku mbetën të vrarë pesë policë. Kështu, data 10 dhe 11 Maj do të jenë ditë zie dhe flamujt e Maqedonisë do të ulen në gjysmë shtizë, ndërsa mediat nuk do të transmetojnë muzikë dhe programe argëtuese.

REAGON UÇK: NUK JEMI GRUP TERRORIST SIÇ NA CILËSOI MINISTRJA JANKULLOVSKA
Grupi i armatosur që po merr pjesë në përleshjen e armatosur në Kumanovë ka theksuar se është Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Ky grup sërish ka dalë edhe me një deklaratë, përmes se cilës konfirmon pjesëmarrjen në konfliktin e armatosur me forcat policore maqedonase, por mohon të jenë “grup terrorist”, siç i ka cilësuar ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska.

Nga përleshja e djeshme me armë kanë humbur jetën të paktën 5 policë maqedonas, ndërsa sot u konfirmua se humbën jetën dhe dy të tjerë. Ndërkaq ngelet kontradiktore nëse ka civil apo anëtar të UCCK-së të vrarë. Sakaq, ministria e Brendshme maqedonase deklaroi se nga ‘luftimet’ janë plagosur 30 persona.

Ja komunikata e publikuar nga disa media:
Në këtë kohë të vështirë letrat janë hapur me shtetin policor antidemokratik të IRMJ. Konflikti i armatosur në qytetin e Kumanovës, dhe rrethinat e tij është një reagim i vendosur i strukturave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe jo “i grupeve terroriste”, sipas variantit zyrtar të Ministrisë së Brendshme të IRMJ.

Deklarimet e Jankullovskës janë të sakta për dëmet që kanë pësuar forcat e saj kriminale. Rezultojnë 5 policë të vrarë dhe mbi 20 të plagosur. Kjo është pasoja e reagimit tonë të ashpër, të cilin nuk do ta ndalim në ditët që vijnë.

Jankullovska tu vërë emrin e vërtetë “të arrestuarve” pas “dorëzimit të tyre”, të mos mashtroje opinionin e vëmendshëm shqiptar dhe më e pakta, t’i kthejë edhe një herë prapa ata civilë të paguar dhe t’i veshë me uniformën ushtarake.

Ne hedhim poshtë me përbuzje këtë inskenim të turpshëm dhe amator, pre e të cilave janë bërë një numër i madh portalesh dhe gazeta e agjenci lajmesh, të cilat në mënyrë jo profesionale janë përpjekur të dezinformojnë opinionin shqiptar. Jemi mësuar me veprime e qëndrime të tilla policore në një qeveri policore.

Mashtrimi sipas versionit zyrtar të Ministrisë së Brendshme të IRMJ tregon qartë frikën që ka kapur strukturat shtetërore, përballë reagimeve tona dhe valës në rritje të protestave paqësore të shqiptarëve kudo, brenda dhe jashtë IRMJ. Mbështetja e vëllezërve tanë brenda dhe jashtë territoreve shqiptare është e ndjeshme dhe vazhdon të jetë në rritje.

Shtabi i drejtimit bën me dije se, forcat tona janë plotësisht të organizuara në zonën e tyre të aksionit, të disponueshme dhe të afta, me mjete të mjaftueshme që të vazhdojnë luftën kundër strukturave kriminale të shtetit të IRMJ. Shpifjeve “zyrtare” të Jankullovskës u doli ngjyra edhe në këtë rast.

I bëjmë me dije qeverisë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, larg fjalëve diplomatike të pavlera për këtë situatë, të kthejnë vëmendjen me reagimin pozitiv drejt organizatave ndërkombëtare europiane, për ndaljen e dhunës policore mbi popullsinë civile të pafajshme.

Ne nuk do të mbajmë më përgjegjësi për ata shqiptarë që vazhdojnë të qëndrojnë brenda strukturave policore dhe ushtarake të shtetit të IRMJ.

Strukturat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare janë në mbrojtje të popullatës dhe ju bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe rrinë larg vatrave të përplasjes me armë.

Të gjithë bashkë, kundër shpifjeve, gënjeshtrave, përçarjes dhe akuzave pseudopatriotike, me besim se do ta rrëzojmë këtë regjim kriminal, për ti hapur rrugën lirisë dhe dinjitetit kombëtar”, thuhet në komunikatën e nënshkruar siç nënvizohet nga zëdhënësi Gostivari.

(ed.me/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: