Nga: JETON SELIMI *
Kanë qenë momente të tensionuara këto 48 orët e fundit, kryesisht për tifozët e Partizanit, të cilët ishin tërësisht në ajër sa i takonte transfertës më të rëndësishme të sezonit, atë ndaj Skënderbeut. Kjo sepse të kuqtë ishin përgatitur për të organizuar një udhëtim masiv prej gati një mijë tifozësh në Korçë, por u përballën me veton e drejtuesve të skuadrës kampione, të cilët vendosën të ekzekutonin të drejtën e tyre dhe t’u jepnin vetëm 5% të biletave tifozëve të Partizanit. Sasia korrespondonte me 300 vende në stadium,të cilat u shitën në 24 orë në zyrat e klubit të kuq në kryeqytet. Fakti se pjesa dërrmuese e atyre mbetën pa një biletë për në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 30-të, solli irritim dhe pakënaqësi në kampin e kuq. Siç dihet, Kukësi është i pari në renditje me 61 pikë, i ndjekur nga Skënderbeu me 60 dhe Partizani me 59.
Kundërshtimi
Në fillim, tifozët e Partizanit hapën fjalë se do të gjenin bileta në Korçë, por ky lajm u përgënjeshtrua nga ana e drejtuesve të skuadrës kampione. “Duke parë me vëmendje reagimin e fundit të klubit të futbollit ‘Partizani’ dhe tifozërisë së kuqe, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik, tifozët e Partizanit dhe klubin e futbollit ‘Partizani’, se klubi ynë ka nxjerrë në shitje biletat që klubit mik i takojnë në bazë të rregullores. Pra vetëm 5% të kapacitetit të stadiumit. Ndeshjet e kaluara klubi ynë është treguar shpeshherë zemërgjerë, duke toleruar dhe shitur më shumë bileta nga çfarë u takon ekipeve mike, por nga kjo zemërgjerësi nuk kemi fituar asgjë të mirë, përkundrazi, jemi dënuar shpeshherë nga Komisioni i Disiplinës, për shkak të trazirave dhe dëmeve të shkaktuara nga tifozëritë mike. Tribuna, e cila ndeshjet e kaluara u është dhënë “miqve” nga dashamirësia jonë, u takon tifozëve korçarë. Klubi ynë është i vendosur për t’iu përmbajtur rregullores dhe nuk do të shitet absolutisht asnjë biletë më shumë se kuota 5%, e cila u takon tifozëve miq”, thuhej në deklaratën për shtyp të skuadrës korçare,që u mbyllte përfundimisht dyert e stadiumit tifozëve të Partizanit, që nuk kishin siguruar një biletë.
Marrëveshja
Por zhvillimet pozitive ndodhën në orët e vona të mbrëmjes. Kur dukej se gjithçka ishte vulosur dhe tifozët e kuq po kërkonin të gjenin mundësi të tjera për të qenë pranë ekipit në Korçë, erdhi dhe lajmi që kënaqi të gjitha palët. Klubi i kuq, nëpërmjet një komunikate për shtyp, saktësoi se ishte arritur marrëveshja me Skënderbeun dhe se çdo tifoz i Partizanit, që donte të ishte i pranishëm në Korçë, do të mund të pajisej lirisht me një biletë në stadiumin “Skënderbeu”. “Për transfertën e javës së 30-të ndaj Skënderbeut drejtuesit e klubit në bashkpunim me drejtuesit e klubit Skënderbeu, kanë arritur akordin për akomodimin e tifozerisë së kuqe në të gjithë sektorin mbrapa porte. Biletat që do të rezervohen për tifozerinë e kuqe mund t’i siguroni në pikën e biletarisë në stadiumin “Skënderbeu”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb