Policia e Kosovës ka ekzekutuar me armë zjarri 32-vjeçarin Besnik Shala, i njohur me nofkën “Qorri”, dhe që prej kohësh jetonte në “Lagjen e Trimave”, në Prizren, prej ku vazhdimisht kishte shkaktuar probleme me fqinjët.

Madje në disa raste kishte ndërhyrë edhe Policia e Kosovës. E njëjta gjë, raportojnë nga mediet kosovare, ka ndodhur edhe mbrëmjen e shkuar. Kur policia lokalizoi vendndodhjen e tij, Besnik Shala – Qorri kishte nisur të qëllojë me armë në drejtim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët kishin shkuar atje për ta arrestuar.

Duke u gjendur në një situatë të tillë, efektivët kanë shtënë në drejtim të ‘Qorrit’. Personi në fjalë ka ndërruar jetë pas plumbave të marrë në vendin e ngjarjes.

Duke folur për mediat fqinje, zyrtari i Policisë së Kosovës, Shaban Osmanollaj, nga PK-ja e Prizrenit, ka deklaruar se i dyshuari kishte vepra të ndryshme kriminele.

Ai akuzohej për dy tentativa vrasjeje. Rastin e fundit për veprën penale ‘tentim vrasje’ e ka pasur me datë 16 të këtij muaji.

“Personi në fjalë ka qenë i njohur për zyrtarët policor të Kosovës. Akuzohej për dy raste të tentim vrasjes. Në lagjen ku ai ka jetuar në vazhdimësi ka shkaktuar probleme. Me datë 16 të këtij muaji ai dyshohej edhe për veprën penale të ‘Tentim vrasjes’, ka thënë Osmanollaj.

Osmanullaj ka deklaruar se tashmë i vdekuri ka qenë i kërkuar me flet arrest nga Prokuroria në Prizren. I dyshuari ka pasur fletarrest për tentim vrasje.

“Qorri” akuzohej për të paktën tri vepra penale. Atë të ‘Tentim vrasjes”, “Vjedhje e rëndë”, “Armëmbajtje pa leje”, si dhe dyshohet për “kontrabandim të narkotikëve”.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit-pistoletë, me të cilën dyshohet se “Qorri” ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë, si dhe dy granata dore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb