Kryetari i Nismës Thurje dhe bashkëdrejtuesi i koalicionit Nisma-Shqipëria Bwhet, Endri Shabani, i ftuar në programin e drekës në News24 me Ola Bruko, deklaroi se zgjedhjet e 11 majit treguan se qytetarët po kërkojnë alternativa të reja politike.

Ai theksoi se partitë e reja arritën të marrin rreth 10 përqind të votave (140 mijë vota), duke krijuar sipas tij një mundësi reale për ndryshim. Shabani i bëri thirrje të gjitha forcave të reja politike që të bashkohen në një front të përbashkët kundër qeverisë aktuale, duke konsideruar Adriatik Lapajn, Arlind Qorin dhe Agron Shehajn si bashkëpunëtorë të mundshëm në këtë kauzë.

Ai kritikoi ashpër pabarazinë në garën elektorale dhe mënyrën si funksionon aktualisht sistemi politik, duke e cilësuar si të pandershëm dhe të kapur nga paratë dhe pushteti.

Kryetari i Nisma Thurje, Endri Shabani:Partitë e reja morën 10 përqind të votave dhe ka një dritë në fund të tunelit. Këto vota janë marrë nga qytetarët e zhgënjyer nga klasa e vjetër politike të cilët kanë menduar që nuk ia vlen të qëndrojnë në shtëpi. PS ka rënë me 34 mijë vota por është rritur me 9 mandate. Si ndodh kjo? Sepse pala përballë ka qëndruar në shtëpi dhe 100 mijë njerëz që votuan PD në 2021 nuk erdhën këtë herë. 140 mijë njerëz votuan forcat e reja. Nëse këta do të rrinin në shtëpi Edi Rama nuk do të kishte 83 mandate, por 100. Ne kemi dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për demokracinë në Shqipëri. Ne bëmë fushatë në të gjithë Shqipërinë dhe rezultati tregon se jemi parti kombëtare. Ne kemi thyer mitin se forcat e reja politike nuk shkojnë dot në Parlament.

Ka disa parti të tjera, të vogla por jo të reja që me gjysmën e votave tona marrin tre mandate. Jam edhe studiues i Shkencave Politike, ka fizionimi të ndryshme, nëse ne do të blinim vota nuk do të shkonim lart e poshtë, por do t’i blinim aty ku do të na duheshin. Ne nuk blejmë votat, ata që blejnë i blenë aty ku u duheshin. Ne jemi ndryshe në strategji, frymë dhe atë që përfaqësojmë. Dhe rezultati është 65 mijë votues, 1 përfaqësues, këta të tjerët që i blejnë, me gjysmën e mandateve tona, kanë 3 mandate.

65 mijë shqiptarë kanë thyer frikën dhe kanë votuar për forcën tonë, përtej Ramës dhe Berishës. Unë besoj se këtu në të gjithë këtë tablo pesimiste, ka një tablo shprese. Ne kemi patur dy elementë, që lista e mbyllur do të jepte dorëheqjen dhe kush merr më shumë vota, pra që del i pari, merr mandatin. Nëse ne do të ishim bërë bashkë, sot Shqipëria do të kishte një qeveri të re, një kryeministër të ri dhe më shumë shpresë. Kjo nuk ndodhi sepse forcat e tjera nuk dolën përtej egos personale. Unë vazhdoj t’iu shtrij dorën e bashkëpunimit që të bëhemi bashkë të gjithë kundër klasës së vjetër politike. Betejën nuk e kemi me njëri-tjetrin por me klasën e vjetër politike. Disa nga ata kanë humbur rrugën dhe e kanë marrë betejën me të rinjtë. Shpresoj që tani t’u kenë ardhur mendt, vonë është, por asnjëherë nuk është kurrë vonë.

Ka disa gabime në vendimmarrjet tona që mnund të evitoheshin, gabime në mënyrën se si janë sjellë forcat e tjera të reja. Lufta mes Adriatik Lapajt dhe Agron Shehajt nuk u ka shërbyer të rinjve. Sulmet e Arlind Qorit ndaj Adriatik Lapajt kanë qenë të gabuara dhe kanë dëmtuar të gjitha forcat e reja, kanë dhënë një imazh negativ. Ne mund të kishim shmangur disa vendime që lidhen me listat dhe kandidatët. Të gjitha këto bashkë, sigurisht ne jemi duke mësuar, disa nga ne janë të rinj dhe nuk kanë eksperiencën e nevojshme, por qëllimin e kemi pozitiv.

Unë do të them si do të doja të ishte, nuk kam forcë imponuese ndaj të tjerëve, nuk e detyroj dot Redi Muçin, Adriatik Lapajn, Erald Kaprin të bëhen bashkë, por unë do të flas dhe do të kontribuoj sa të mundem që të bëhen bashkë dhe të jenë një grup i përbashkët, duhen 7 mandate për një grup parlamentar, por ata mund të funksionojnë si një zë i vetëm dhe të kenë nisma të përbashkëta. Përpjekja ime do të jetë që të bëhet kështu, pastaj varet nga vullnetet individuale të tyre. Besoj se edhe zoti Lapaj e ka treguar që është bashkëpunues duke krijuar koalicionin Nisma-Shqipëria Bëhet, duke u bashkuar me Nisma Thurje, ne e dhamë shembullin e bashkëpunimit. Ne po të hynim vetëm në zgjedhje, s’do ishte në Parlament as Lëvizja Bashkë as Shqiëria Bëhet sepse do ishin ndarë votat dhe do dëmtoheshin forcat e reja. Në 2023 nëse unë do të kisha dalë kandidat për Bashkinë e Tiranës, rezultati i Arlind Qorit do të ishte edhe më i dobët. Kam dhënë maksimumin që të bëhemi sa më shumë në një front të përbashkët. Nuk ia dolëm të ishim në një front edhe me Arlindin e Redi Muçin, por i shtrijmë dorën sërish, me zor nuk i marrim dot. Votuesi duhet të reagojë dhe të ushtrojë presion ndaj të gjithë aktorëve politikë nëse votuesi na do bashkë, nëse na do të përçarë le të na inkurajojë dhe të vazhdojmë…

PD konteston zgjedhjet. A janë cenuar votat e Nisma-Shqipëria Bëhet?

Këtu gara është e pabarabartë dhe e pandershme, ne shkojmë me fletëpalosje dhe ide në fushatë, ndërsa pala tjetër është me Range Rover me çuna problematikë, me njerëz që blejnë vota, me pushtet që përdoretpër të fuqizuar partinë në pushtet. Por, Sali Berisha është i fundit që mund të ankohet, sepse flasim për një parti që ka bërë të njëjtën gjë kur ka qenë në pushtet, që kjo parti edhe në opozitë merr leje ndërtimi, ka grupet e shpëtimit të votës që dalin me armë dhe vriten me njëri-tjetrin. E fundit që mund të ankohet është Sali Berisha. Elementi i bazë i lidershipit dhe burrit tradicional shqiptar është të marrë përgjegjësi për grupin e vet, vendimet, për atë që përfaqëson. Sali Berisha është 80 vjeç dhe nuk e kam parë njëherë të mbajë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor, të thotë kaq arritëm, 500 mijë vota, deri këtu na besuan shqiptarët, por fshihet pas gishtit, qaraman. E njëjta gjë është edhe për Edi Ramën, qaraman, “hap kutitë ose largohu…”

Më vjen keq si qytetar shqiptar që me votat e Ilir Alimehmetit është bërë deputet Tedi Blushi i Partisë së Lirisë. Unë po të isha i PD kjo gjë do të më irritonte pafund, por ata nuk kanë gojë të flasin as për këtë, për të thënë: Si ka mundësi ne votojmë për Jorida Tabakun e Ilir Alimehmetin dhe deputetë bëhen këta të LSI? Kjo tregon se si Sali Berisha i ka vendosur nën thundër edhe demokratët e thjeshtë që jo vetëm nuk i pyet njeri, por nuk kanë as të drejtë të ankohen apo të ngrenë zërin. Më vjen keq për gjendjen se si ka përfunduar një parti që quhet Partia Demokratike.

Çfarë do të ndodhë me mua?

Unë jam anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, partia jonë ka përfaqësues në këshillat bashkiakë në të gjithë vendin. Koalicioni ynë do të koordinohet për aktivitete të përbashkëta, unë shpresoj që të krijojmë një koalicion edhe më të gjerë me aktorë të tjerë të shoqërisë civile, intelektualë e forcat e reja… Sa kohë unë dhe Nisma Thurje të jetë në politikë tre gjëra nuk do të na mungojnë, qëndrueshmëria, nuk jemi dorëzuar në 2021, 2023 dhe as 2025. Ne kemi treguar guxim, kemi ccuar në SPAK 6 ccështje dhe 2 ministra në burg, kemi ccuar në SPAK oligarkë, nisma ligjore në Gjykatë Administrative dhe Gjykatë Kushtetuese, do të vazhdojmë nismat tona. E treta, vizioni dhe përgatitja. Ne jemi një grupim njerëzish shumë më i përgatitur edhe se kabineti qeveritar dhe me ato mundësitë tona do të vazhdojmë të japim vizionin tonë si mund të zhvillohet shoqëria, ato propozime tona që mund t’i çojmë tanimë edhe përmes mandatit të deputetit të Parlament. Do të japim një alternativë konkurruese. Shpresoj që më shumë herët se sa vonë shqiptarët ta kuptojnë se duhen votuar forcat e reja dhe ato 70 mijë vota të bëhen 700 mijë që ky vend më në fund të shkëputet nga e shkuara dhe të ecet përpara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb