NGA MARSELA KARAPANÇO*
TIRANE- Që me nisjen e vitit të ri shkollor, nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës nuk kanë mundësi të mësojnë me tekste shkollore në gjuhën Shqipe. Shkak për këtë situatë është bërë bllokimi në doganë i disa qindra mijëra librave nga shteti serb. Në fakt i tillë është bërë me dije për News 24 nga Fatmir Toci, anëtar i Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, pas vizitës që një delegacion i këtij komisioni zhvilloi me ftesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës.

“Prej dy muaj, rreth 100 mijë tekste të dhuruara nga Ministria e Arsimit të Kosovës, janë bllokuar në pikën doganore të Preshevës. Arsyeja është politike, pasi Serbia nuk e njeh akoma qeverinë e Kosovës, dhe kusuri e demi i bëhet nxënësve shqiptarë, që sot në mënyrë absurde mësojnë dhe studiojnë me shënime.”, pohoi Toçi.

Por edhe pse nëntori erdhi sërish, nga premtimi i kryeministrit Rama në Preshevë për njohje reciproke të diplomave në vitin 2014, nuk duket asnjë shenjë në horizont. Deputeti Socialist Fatmir Toçi ngre gishtin e akuzës drejt Serbisë për zvarritjen e këtij procesi.

“Mosnjohja e diplomave nga Ministria e Arsimit të Serbisë, edhe pse është rënë parimisht dakord, ende po zvarritet nga ana e administratës serbe. Jemi dëshmitarë të të gjitha përpjekjeve të Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme dhe asaj të Arsimit për të finalizuar këtë marrëveshje.”, tha ai.

Delegacioni shqiptar i Komisionit te Medias gjatë vizitës në Luginën e Preshevës vërejti edhe të tjera problematika, të tilla si mungesa e trajnimit të mësuesve, kuota të ulta për studime në vendin tonë. Së shpejti pritet që në Tiranë të vijë delegacioni i Komisionit të Edukimit nga Lugina e Preshevës, në përpjekje për të zgjidhur çështjet e arsimit që shqetësojnë dy vendet tona.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: