Nga: Jeton Selimi *
Kategoria Superiore luan javën e parafundit për këtë vit kalendarik, ndërsa ditën e sotme do të kemi 5 përballje mjaft interesante. Natyrisht që ndeshjet më të nxehta luhen në Kukës dhe në Korçë, aty ku verilindorët presin Tiranën dhe Skënderbeu luan me Flamurtarin. Kryesuesit e Partizanit do të ndeshen me ekipin e momentit në Superiore, Vllazninë. Shkodranët kanë fituar 4 ndeshje radhazi, ndërsa të kuqtë duan të zhbëjnë humbjen e pësuar në Vlorë. Teuta-Apolonia do të jetë një përballje me shumë interes, pasi të dyja ekipet janë në luftë për t’i shpëtuar rënies nga kategoria. Në Laç, kurbinasit presin Elbasanin dhe kanë në dorë një shans të mirë për t’u rikthyer te fitoret.
Në “Zeqir Ymeri” të Kukësit, nënkampionët do të ndeshen me Tiranën. Verilindorët fituan 3-1 në “Niko Dovana” ndaj Teutës, ndërsa bardheblutë nënshtruan Skënderbeun 2-0 në “Qemal Stafa”. Për trajnerin e Kukësit, në lojë janë 3 pikët, pasi ekipi i tij është pretendent për titullin kampion. “Për ne që jemi pretendentë për titull, çdo ndeshje është një finale dhe këtu hyn edhe kjo me Tiranën. Në të tilla ndeshje të 3 rezultatet janë të pranueshme. Kam besim tek ekipi, pasi përveç rezultatit, na duhet edhe lojë e bukur”, deklaron shqiptari nga Maqedonia, Artim Shaqiri, i cili në përballjen e parë në kryeqytet pa skuadrën e tij të humbiste 3-1. Ndërkohë, Tirana ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e radhës. Trajneri Gugash Magani ka zhvilluar seancën e fundit përgatitore me ekipin dhe pas stërvitjes në “Skënder Halili”, Tirana është nisur në drejtim të Kukësit ku do të grumbullohet një natë para ndeshjes. Tekniku duhet t’i bëjë llogaritë pa Kërçikun dhe Morinën e dëmtuar. Të dy lojtarët nuk u stërvitën me skuadrën ditën e djeshme.
Edhe Partizani ka përfunduar përgatitjet në prag të sfidës me Vllazninë. Skuadra, nën urdhrat e trajnerit Duro dhe stafit teknik zhvilluan dje në orën 11:00 stërvitje në fushën e gjelbërt, ku morën udhëzimet e fundit për këtë përballje. Seanca e djeshme pati të disponueshëm të gjithë grupin e lojtarëve, të cilët paraqesin kontingjent fizik optimal. Partizani duhet të fitojë për të mbajtur pas shpine kundërshtarët dhe për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt kurorës së dimrit. Skënderbeu pret Flamurtarin dhe të dyja ekipet vijnë me moral në pole të kundërta. Korçarët kanë humbur 2-0 në kryeqytet ndaj Tiranës, ndërsa loja e tyre nuk ka qenë aspak bindëse dhe golat e rivalëve kanë ardhur pas gabimeve foshnjarake. Flamurtari nga ana tjetër ka fituar 1-0 me kryesuesit e Partizanit dhe e ka moralin në qiell. Kuqezinjtë kanë mundur të fitojnë pas më shumë se një faze ndaj një kundërshtari që qëndron në pjesën e sipërme të tabelës dhe shkojnë në Korçë të bindur se mund të përsërisin suksesin e së shtunës. Megjithatë, Skënderbeu ka reputacionin e kampionit për të mbrojtur dhe kjo do të bëjë që vendësit të synojnë tri pikët dhe të shpresojnë në frenimin e rivalëve.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb