Nga: ZONJA VJOLLCA*
Lulelakër me kerri dhe gjoks pule

2 gjoks pule
1 lulelakër
2 karrota
150 gr bishtaja
1 kokërr qepë
1 thelpi hudhër
30 gr bajame
2 lugë kafeje kerri
1 lugë çaji miell
100 ml qumësht
2 lugë gjelle vaj misri

Fillimisht lajmë mirë perimet, pastrojmë bishtajat, karrotat i presim në shkopinj dhe lulelakrën e ndajmë në lule të vogla duke e shkëputur nga kërcelli. Vendosim një tenxhere me ujë dhe kripë dhe sapo uji të fillojë të vlojë vendosim lulelakrën, karrotat dhe bishtajat dhe i lemë derisa perimet të zbuten. Në një tjetër tigan me 2 lugë gjelle vaj misri skuqim bajamet me gjithë lëkurë të prera në copëza. I largojmë bajamet dhe në po të njëjtin tigan vendosim mishin e pulës të pa prerë dhe e skuqim nga të dyja anët për 8 minuta. E largojmë mishin e pulës, e vendosim në një pjatë të mbuluar dhe në tigan vendosim qepën dhe hudhrën dhe i kaurdisim së bashku derisa të zbuten për 5 minuta. Më pas shtojmë perimet e ziera, i trazojme duke shtuar pak miell dhe kerri. Në fund e shuajmë gatimin me qumësht duke e lënë në zjarr për rreth 2 minuta. E servirim duke prerë fileton e pulës në feta, mbi mish vendosim një lugë bajame të pjekura dhe në anë vendosim perimet e gatuara me salcë kerri.
(er.nu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb