Kryeministri Edi Rama sulmoi opozitën, gjatë një takimi elektoral nga Saranda.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se kryedemokrati Lulzim Basha fle gjumë kudo dhe kurdiset nga ata që ka nga pas, përkatësisht, sipas kryeministrit, Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Duke u ndalur te këta të fundit, kryeministri u shpreh se duan të çojnë sërish Shqipërinë në humnerë.

“Çfarë udhëheqësi është Lulzim Basha, që përveçse fle në këmbë dhe flet si një pllakë gramafoni, nuk ka asgjë në dorë. Një kukull e kurdisur, ndërsa udhëheqësit real të asaj opozite janë Saliu dhe Iliri, ata që morën peng aeroportin, ata që janë gati të djegin Shqipërinë për të arritur synimet e tyre. Janë ata që i bashkon një ankth i madh, një pasiguri e madhe e humbjes përfundimtare të influencës së tyre mbi proceset e vendit, e mbi të gjithë mbi procesin e drejtësisë. Këtë e di gjithë Shqipëria, i madh e i vogël, këtë e dinë edhe demokratët.

Me të mbyllur kontratën me aeroportin e Vlorës, ne do të lancojmë kontratën për aeroportin e Sarandës. Pa diskutim që do të jetë një tjetër histori e vështirë suksesi. për pak ditë ne hapim aeroportin ndërkombëtar të Kukësit. Investimet në Aeroportin e Rinasit do të nisin me një ritëm krejt tjetër. Do të kemi terminalin e ri, pistën, që garantojnë udhëtimet transoqeanike, që të shkojmë e vijmë direkt nga Amerika. Gjatë mandatit të tretë këto aeroporte, së bashku me portet e reja turistike, kemi një hartë komplet tjetër të Shqipërisë, me një mundësi tjetër për të rritur numrin e turistëve, por edhe nivelin konsumator të tyre. Ne sot jemi në kushtet kur e kemi kaluar fazën e mesjetës në menaxhimin e një pasurie të madhe në një sektor super strategjik si energjia. Tani me investimet e reja e të mëdha ne do të mund të kthehemi në eksportues neto të energjisë, që do të thotë se nuk do të eksportojmë më kur nuk kemi shi, se me ndërtimin e Skavicës, ne do të kemi rezervën e ujit, por as nuk do të derdhim më ujë, kur kemi shi, duke sjellë përmbytje. Ne kemi bërë gabime, por ama është e sigurt se në këtë periudhë prej një mandati e pak dhe një lufte që vazhdon ne kemi vendosur standarde në të gjitha sektorët.

Luli mund të flejë kudo, unë kam qenë me të. Kam treguar barsoletat e dynjasë që mos ma zinte gjumi, se shkoi shumë vonë. Ai mund të flejë në shtëpi, në makinë, pa problem fare. Ku ka një vend të mbështesë kokën, ai fle. Madje më besoni edhe kur është duke folur, ai fle, sepse ka mësuar të flasë në gjumë, ndaj është komplet i papërgjegjshëm në ato që thotë. Njëherë shfaqet si radikal ekstremist, njëherë si djalë i mirë, varet si është kurdisur. Përtej tij, pas tij, qëndrojnë ata që e kurdisin. Ka mundësi që shumica dërrmuese e shqiptarëve të dojë prapë Ilir Metën e Sali Berishën në jetën e tyre? Të dojë prapë që Shqipëria të hyjë në një fazë pasigurie e të përfundojë në buzë të një humnere tjetër? Edhe herën e dytë kështu ndodhi, ndonëse jo si në 1997, por borxhi ishte shumë i lartë. Ne duhet me patjetër të garantojmë që Shqipëria nuk kthehet mbrapa dhe që ngritja jonë të vazhdojë edhe më e vendosur e më e shpejtë. Por për t’u ngjitur më lart e më shpejt, duhet shumë më tepër forcë, duhet karakter”, tha kryeministri Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb