TIRANË
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka formuar një aleancë të ngushtë me bandat dhe me krimin për të vjedhur zgjedhjet. Ai theksoi se bandat e PS-së janë shpërblyer me leje ndërtimin për punën e kryer gjatë vjedhjeve të zgjedhjeve.
Kryedemokrati edhe njëherë nuk harron të përmend emra, ndërsa pohon se banda e Avdylajve në Shijak ka marrë mbi katër leje ndërtimi nga kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Sipas Bashës, vjedhja e procesit të zgjedhjeve ka çuar në kapjen e shtetit dhe sektorit të ekonomisë.
“Shteti u dha Avdylajve edhe mundësinë të përdorin dhe pastrojnë paratë e krimit duke ju dhënë leje ndërtimi dhe leje të tjera, direkt apo indirekt në emër të tyre. Mbi katër leje ndërtimi ka marrë banda e Avdylajve nga Vangjush Dako. E njejta gjë në Peshkopi. Imer Lalës dhe të tjerëve shteti u dha licensën të kultivonin dhe trafikonin drogën. Madje policia direkt u ka afruar këtë pazar kriminelëve: na ndihmoni të vjedhim vota dhe jeni të lirë të mbillni kudo kanabis.
Vjedhja e votave ka çuar në kapjen e shtetit dhe të ekonomisë nga krimi. Trafikantët e drogës sot financojnë direkt apo indirekt kompani ndërtimi, projekte zhvillimore, kompani minerare, kompani transporti, televizione, koncesione publike, punë publike, janë në naftë në minerale ne rezorte turistike dhe në zhvillimin e pronave. Jo pak biznese tani kanë bërë aleanca me kriminelët për menaxhimin dhe mbrojtjen e bizneseve të tyre sepse krimineli u ofron atyre edhe forcën e dhunës, edhe mbrojtjen e shtetit.
Prandaj, hetimi i vjedhjes së zgjedhjeve nuk do jetë kurrë i plotë pa hetuar në thellësi bashkëpunimin ekonomik të krimit me shtetin, si shpërblim për vjedhjen e votave. Drejtësia nuk mund të bëhet pa zbuluar të gjithë shtrirjen e konspiracionit krim-qeveri”-tha Basha.