TIRANE- Kryedemokrati Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit deklaroi se lufta ndaj krimit është emergjencë, por që kjo të ndodhë duhet që të çlirohet fillimisht politika prej tij.

Ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama, që vendi të çlirohet nga krimi e kriminelët. Basha nuk nguroi të përmendë edhe emra njerëzish me pushtet, të cilët i quajti “peshkaqenët” që mbrohen kryeministri.

“Edi Rama strehoi në krye të bashkive më shumë kriminelë se sa në burgun e sigurisë së lartë. Prova e tij është Elvis Roshi, prova e tij është Klement Balili, prova e tij është Saimir Tahiri, është Agron Xhafaj, është dyshja Dako-Çela, Qazim Sejdini për të mos folur për Ilir Beqajn, Damian Gjiknurin e Arben Ahmetajn me shokë”,- tha Basha.

Sipas tij, synimi i kryeministrit është që t’i mbrojë, pasi të sipërpërmendurit, siç tha ai, janë të paprekshmit, peshkaqenët.

Ndonëse nuk bëri thirrje të drejtpërdrejte për protesta, Basha tha se sot lind nevoja që shoqëria të reagojë e të bëhet bashkë.

“E vërteta tjetër e madhe është se e vetmja arsye pse Saimir Tahiri është i lirë dhe Edi Rama është ende në pushtet është se ne si shoqëri nuk kemi reaguar. Kur ne të bëhemi të gjithë bashkë, mijëra shqiptarë të bashkuar përballë Edi Ramës, përtej ngjyrimeve politike, përtej paragjykimeve, atë çast pushteti i Edi Ramës merr fund. Dhe bashkë me të edhe pushteti i krimit. Kjo ditë do të vijë. Shpejt”,- tha kryedemokrati.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb