Ish-kreu i PD, Lulzim Basha, ka kujtuar sot ngjarjen e 2 korrikut 1990 në “ambasada”, ku shqiptarët çanë muret e ambasadës gjermane, duke nisur eksodin më të madh.

Në postimin në “Facebook”, ish-kryedemokrati Basha thekson se “fatkeqësisht, 32 vite më vonë, shqiptarët po ikin sërish masivisht në kërkim të mundësive, të një jete më të mire për veten dhe familjet e tyre”.

Mesazhi i plotë i Bashës:

Më 2 Korrik 1990, duke u futur nëpër ambasadat perëndimore, shqiptarët rrëzuan murin e parë të diktaturës, në një sfidë vendimtare ndaj regjimit komunist, që atë verë do të niste fillimin e fundit të tij. Një akt guximi qytetar, që do të kristalizohej pak muaj më vonë me Lëvizjen Studentore, e cila çeli rrugën e demokracisë për aq gjatë të mohuar dhe afroi përsëri Shqipërinë me Perëndimin.

Atëbotë, sytë e çdo shqiptari ishin drejt vendeve të lira, me shpresën e një jete më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre, ashtu siç fatkeqësisht janë ende sot, sepse sfida për ta e ka ngritur Shqipërinë në lartësinë e aspiratës për ta bërë si gjithë Europa, e cila mbetet ende e papërmbushur.

Fatkeqësisht, 32 vite më vonë, shqiptarët po ikin sërish masivisht në kërkim të mundësive, të një jete më të mire për veten dhe familjet e tyre.

Në 8 vitet e fundit, më shumë se gjysmë milioni shqiptarë kanë lënë vatrat e tyre për të marrë rrugën e kurbetit. Ata detyrohen të ikin, sepse në atdheun e tyre ata vidhen, ata nëpërkëmben, ata s’kanë asnjë mundësi për të jetuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Ndaj, përkujtimi i kësaj ngjarjeje historike, që pati forcën për ta përkulur regjimin komunist, shërben si një moment reflektimi, për t’u përballur me të shkuarën që rrezikon të përsëritet, sidomos përballë plagës së largimit të qindra-mijëra bashkëqytetarëve tanë, që tashmë nuk ikin prej diktaturës enveriste, por nga diktatura e korrupsionit, e cila nën qeverisjen e Edi Ramës ka marrë përmasat e një rreziku kombëtar.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb