BERAT

Ylmi Shuaipi, i cili ka qenë pjesë e grevës që po mbajnë banorët e fshatit Lumas, në një prononcim për gazetaren e “News 24” dhe “BalkanWeb”, Eneida Petova, ka treguar shqetësimet shëndetësore që ka ndjerë gjatë grevës.

Nga spitali i Beratit, ku dhe po merr mjekim, ai ka thënë se papritur filloi të ndihej keq, kishte marrje mendsh dhe rrahje të shpeshta zemre.

Shuaipi, edhe pse në këtë gjendje, theksoi se do të rikthehet sërish në grevë, nëse nuk ka zëvendësues. Ai ka treguar se betejën e tyre, do e dërgojnë deri në fund.

“Jam në gjendje jo të mirë. Kam këputje të trupit. Më lufton shumë zemra. Tensionin e kisha 10 me 15. Po s’u zëvendësua njeri në grevë do të iki parpë. E kam vendosur, do të kthehem vetë po s’u zëvendësua njeri. Do të luftoj deri në momentet e fundit. Vuaj dhe nga sëmundje, kam pasur probleme me zemrën, e kam prej konsumimit të duhanit. Kam marr serum, do të bëj dhe një grafi të zemrës”, tha Shuaipi.

Kujtojmë se prej gjashtë ditës, 5 banorë të fshatit Lumas janë futur në grevë urie. Ata kanë vijuar për çdo ditë protestat e tyre në kanionin e Sinecit. Beteja për ujin e burimit të Sinecit vazhdon prej 4-muajsh,duke u shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes banorëve me firmën dhe policinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: