Nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, ka reaguar ndaj deputetes së “Nismës”, Valdete Bajrami, e cila ka thënë se Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga BE-ja që Demarkacioni të jetë kusht për vizat. “Deputetja Bajrami më ka cituar gabimisht”, ka thënë Lunacek për Gazetën Express.
Lunacek, e cila është edhe raportuese e PE-së për Kosovën, ka thënë nëpërmjet një deklarate se Bajrami e ka cituar gabimisht, raporton Express.

“Në artikullin e djeshëm të Gazetës Express, deputetja Valdete Bajrami më ka cituar gabimisht”, ka thënë Lunacek. “Deklarata e deputetes Bajrami nuk korrespondon me faktet. Unë kurrë nuk kam thënë se Qeveria e Kosovës ka kërkuar që demarkacioni me Malin e Zi të jetë kusht për heqjen e vizave me Zonën Schengen”, ka shtuar ajo, raporton Gazeta Express

“Unë iu kërkova të gjithë deputetëve që të lëvizin përpara me ratifikimin e marrëveshjes sa më parë që të jetë e mundur dhe kam shpjeguar se në atmosferën aktuale në BE, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza është e rëndësishme që të përmbushen edhe dy kushtet e mbetura sa më parë që të jetë e mundur. Po ashtu, u kam thënë atyre që Qeveria duhet të përmbushë kushtin e dytë që është sjellja, evidenca për dënimet e nivelit të lartë për krim të organizuar dhe korrupsion. Po ashtu, kam shprehur mbështetjen e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave dhe për procesin e zgjerimit për Kosovën në përgjithësi”, është shprehur Lunacek.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: