LUSHNJE- Sot është mbajtur në Lushnjë ceremonia e përurimit të memorialit të familjeve të internuara dhe të dëbuara në 14 qendra internimi në këtë rreth. Një memorial katër metra i lartë dhe me simbolikën e këmbëve të zbathura të atyre që vuajtën diktaturën e , është zbuluar për të ftuarit nga drejtori i Institutit të të Përndjekurve Politike, kreu i Bashkisë Lushnjë dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Në fjalën e tij të hapjes, Bilal Kola, tha se nuk mund të ketë të ardhme pa kujtuar të djeshmen, dhe se në këtë memorial janë emrat e atyre familjeve që janë ndëshkuar pa u gjykuar nga regjimi totalitar.
Nga ana e tij kreu i Bashkisë, Fatos Tushe, u shpreh se internimi i intelektualeve është përkujtuar në këtë memorial në hyrje të qytetit.

Më pas zotërinjtë Dine Dine dhe Simon Miraka sollën përvojat e hidhura të internimit, ndërsa janë shprehur se, Lushnja pavarësisht represionit të regjimit i ka pritur mirë dhe i ka dhënë shpresë dhe dritë.

Ndërkaq, ministri Klosi u shpreh se Qeveria Rama ka ndihmuar shumë për këtë shtresë duke lëvruar pa problem pagesën e tyre, dhe shtoi se së shpejti do të ndërtohet një tjetër memorial i këtij lloji në Çermë për të përkujtuar këtë shtresë.

“Qeveria jonë ka punuar me shtresën e ish-të përndjekurve në të dyja rrafshet: moral dhe material. Është qeveria e majtë ajo që mori angazhimin për dëmshpërblimin e tyre, po do vijojmë pa u ndërprerë. Janë 800 përfitues nga kësti i 6-të. Do vijojmë pa ndërprerë. Si ky memorial, kemi ngritur dhe do të vijojmë në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë. Ky memorial në hyrje të qytetit të Lushnjës është simbol i kujtesës kombëtare, për t’iu kujtuar të gjithëve që këtu në Lushnjë, kanë vuajtur dënimin pa u gjykuar 32 mijë burra e gra, vajza e djem, pa përjashtuar as fëmijët. Kujtesa është garancia që kjo të mos përsëritet”, deklaroi ministri Klosi.

Në rrethin e Lushnjës prej vitit 1954 kane funksionuar 14 qendra internimi duke nisur me Savrën, e më pas Plukun, Gjazen, Ngurrezën, Gradishtën, Ferrasin, Grabianin, Dushkun, Bedatin, Adriatikun, Bicukasin, Germenjin, Çermën e Shën e Premten, ku qindra familje intelektuale të padënuara janë ndëshkuar pasi paraqisnin rrezikshmëri për regjimin komunist të diktatorit hoxha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: