LUSHNJË- Nëna mbyt djalin me litar ndërsa flinte dhe më pas e mban 12 orë në shtëpi para se të lajmëronte policinë. Kjo ngjarje e rëndë, e denjë për filma horror ka ndodhur brenda në qytetin e Lushnjës, në lagjen “Gafurr Muçaj”.

Hatixhe Ahmetaj, 71 vjeç e lodhur nga problemet e shumta që i sillte i biri problematik dhe përdorues droge e ka mbytur atë me litar në banesën ku jetonin të dy në orët e vona të së dielës. “Djali ishte i dehur. E kam lidhur me litarë dhe e kam shtrënguar deri sa e mbyta. Jetonim të dy vetëm, vetëm vuajtje kam pasur nga ai”, ka rrëfyer e moshuara në polici.

Por më pas, gruaja ka pritur qetësisht mëngjesin dhe vetëm sot, 12 orë pas ngjarjes ka njoftuar policinë, ku ka pranuar se e ka vrarë të birin duke e mbytur me litar. Por makabriteti i kësaj ngjarjeje nuk merr fund me kaq. Burime të policisë së Lushnjës, bëjnë me dije se 71-vjeçarja është përdhunuar nga i biri vite më parë, por nuk ka bërë denoncim në polici.

Hatixhe Ahmetaj jetonte vetëm me djalin e saj Pëllumb Ahmetaj që sipas banorëve dhe fqinjëve ishte përdorues droge. Nga hetimet e policisë dhe këqyrja e trupit të 38-vjeçarit, janë vërejtur shenja në qafë çka ka shtyrë policinë të konkludojë se ai është mbytur me litar. E më pas vetë nëna 71-vjeçare ka pranuar krimin e rëndë para oficerëve të policisë gjyqësore.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: