LUSHNJE- Në 58-vjeçar nga Lushnja i ka vënë flakën vetes përballë komisariatit të policisë së këtij qyteti, paraditen e sotme. Sipas policisë, ku shtetas është vetëdjegur për shkak të një problemi pronësie.

Burimet policore saktësojnë se “sot rreth orës 12:00 në trotuarin përballë Komisariatit të Policisë Lushnje shtetasi Jorgo Derga, 58 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gjonas, Komuna Bubullimë, Lushnje, i ka vënë flakën vetes. Ai ka ardhur përpara Komisariatit i lyer me lëndë djegëse dhe është vënë re nga kalimtarë të rastit pasi i ka vënë flakën vetes’

Punonjësit e policisë që ndodheshin me shërbim kanë ndërhyrë dukë bërë të mundur shuarjen e flakëve. I dëmtuari është dërguar me automjet policie në Spitalin Rajonal Lushnje, ku pasi mori ndihmën e parë mjeksore është nisur për një ndihmë më të specializuar në repartin e djegies në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Një ditë më parë, njofton policia, në datë 01.12.2014, rreth orës 10:00 shtetasi Jorgo Derga është paraqitur në Komisariatin e Lushnjes për të bërë një denoncim. Ai ka pasur një problem pronësie me tokën në banesën e tij në fshatin Gjonas. Problemi lidhej me Komunën Bubullimë, e cila sot ka bërë një ekzekutim vendimi për hapjen e një rruge në kufi me tokën e këtij shtetasi.

Dje, Jorgo Derga ka marrë kontakt me Ndihmës Specialistin e Zonës dhe Përgjegjësin e Ndihmës Specialistëve, të cilët e kanë trajtuar si rast, duke i marrë një deklarim shpjegues për çështjen. Derga ka pohuar se ka nje mangësi prej 9 metrash katrorë tokë, për të cilën komuna i ka dhënë shpjegim se këtë mangësi e kishte jashtë murit rrethues të tij.

Nga ana e policisë i është shpjeguar shtetasit se do të bëhej verifikimi i deklarimit të tij, por nisur nga fakti se ky është një konflikt civil ai duhej të drejtohej në Gjykatën e Rrethit Gjyqsor Lushnje, për zgjidhjen e tij.

Për këtë rast i është kërkuar shpjegim edhe komunës Bubullimë nëpërmjet Specialistit të Policisë së Zonës. Komuna është përgjigjur se më datë 26.11.2014 është nxjerrë Urdhëri nr.71 i Kryetarit të Komunës për hapje të një rruge ngjitur me kufirin e këtij shtetasi, i cili është zbatuar sot me date 02.12.2014. Po kryhen të gjitha veprimet procedurale ligjore dhe materialet do t’i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqsor Lushnje për hetime të mëtejshme.

Me vullnetin e tij të lirë i dëmtuari deklaroi:

“Jam me banim në adresën e lartpërmendur, jam i martuar me … Kam probleme të saktësisë së tokës truall që ndodhet në fshatin Gjonas i komunës. Këtë sipërfaqe toke erdhën specialistët e Komunës e matën dhe më thanë këtu është kufiri. Unë vendosa kufirin, e bëra me avulli me murre blloku. Mbasi unë bëra avullinë, kërkova përsëri që të saktësohet toka. Specialistët e komunës erdhën e matën sipërfaqen e tokës dhe më thanë se ke edhe 20 pondë nga ana e jashtme e avullisë. Kjo sipërfaqe toke që është jashtë avullisë është e mbulluar nga ferrat dhe mbeturina të tjera dhe janë bërë shkak për bllokimin e rrugës. Unë kërkoja nga komuna që kjo sipërfaqe toke të mos preket. 20 cm jashtë avullisë dhe këtë problem do ta ndjeki në rrugë ligjore. Unë do t’i drejtohem rrugës ligjore në Gjykatë për këtë padrejtësi që më është bërë mua si person. Unë nuk do të bëj asnjë veprim të jashtëligjshëm në rast të kundërt do të përballem me ligjin. Gjatë qëndrimit në polici nuk kam pretendime. Deklaratën pasi e lexova e firmosa pa vërejtje”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb