LUSHNJE- Policia e Lushnjes ka vënë në pranga Gëzim Gurrulin, i cili një ditë më parë tentoi të vrasë motrën dhe burrin e saj. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 05:30 të ditës së djeshme. Bashkëshortët Fiqiri dhe Shkurte Balla ishin në gjumë kur kanë dëgjuar trokitje në derë. Sapo kanë parë Garulin të armatosur, ata kanë shpejtuar që të mbyllin derën, duke i vënë një divan prapa. Ndërkaq, 46-vjeçari ka qëlluar me pistoletë, duke plagosur rëndë motrën e tij dhe bashkëshortin e kësaj të fundit. Krismat e armës kanë alarmuar banorët e fshatit, të cilët kanë sinjalizuar policinë për ngjarjen.

KONFLIKTI
Afro tre muaj më parë, Gëzim Garuli, me banim në Kavajë, ishte divorcuar nga bashkëshortja e tij, me të cilën kishte një fëmijë. Pas ndarjes, 46-vjeçari është rikthyer në Lushnjë dhe që prej 1 muaji banonte te shtëpia e motrës së tij, Shkurte Balla (e martuar), në fshatin Shënepremte. Nisja e procedurave gjyqësore për kujdestarinë e fëmijës e ka trazuar keqas Garulin, i cili donte me çdo kusht që djalin ta marrte ai dhe jo ish-gruaja e tij. Mbrëmjen e së martës, Garuli i ka thënë së motrës se djalin do e merrte ai në kujdestari. Ndërkohë, 41-vjeçarja Shkurte Balla i ka thënë se djali ishte i mitur, ndaj i takonte nënës së tij kujdestaria. Kaq ka mjaftuar dhe kanë nisur debatet. Gëzim Garuli është indinjuar me të motrën dhe i ka thënë se duhej të mbante anën e tij dhe jo të nënës së fëmijës me të cilën ishte divorcuar. Pas debateve të ashpra, 46-vjeçari është larguar nga banesa e familjes Balla, për t’u rikthyer në orët e para të mëngjesit, por kësaj here i armatosur.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: