TIRANE- Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka kujtuar sot gazetaren Adelajda Xhamani, e cila u nda nga jeta pas një ataku kardiak në moshë fare të re. Intervistën e dhënë për Adelën në vitin 2012-të kur punonte pranë “Gazeta Shqiptare”. Elisa e veçon si të preferuarën e saj.

Ajo s’nguron të vërë në pah lirshmërinë e butësinë e Adelës gjatë komunikimit, ndërsa lutet që 31-vjeçarja të prehet në paqe.

“Kam dhënë dhjetra intervista, por ky rrëfim i marrë butësisht dhe njerëzisht nga Adelajda Xhamani ka mbetur i preferuari im. E kujtoj si sot; u takuam në një kafe periferie dhe pimë nga një çaj mali. Sytë e mëdhenj i jepnin një rrezatim serioz dhe po aq zhbirilues. Me shumë gjasë ishte kjo arsyeja pse u ndjeva aq mirë për të folur aq gjatë. Në këto kohë shpërthimesh, zbulimesh, turfullimesh, zhveshjesh dhe sensacionesh mediatike, ku e vërteta bëhet shpesh kurban klikimesh, mungesa e saj ngjan edhe më trishtuese. Pushofsh në paqe Adelajdë! Ti ishe ndryshe”,- shkruan Spiropali në një status në Facebook

elisa-per-adelen

INTERVISTA E PLOTE E ADELES ME SPIROPALIN
Versioni im idealist për Shqipërinë

Interviste nga Adelajda Xhamani
Gazeta Shqiptare

Thjesht një vajzë e re, e brishtë dhe delikate që mban brenda vetes ca forca magjike. Diku e hajthme dhe e përmbajtur, diku e rreptë e plot humor therës…” Këto janë fjalët që përdor Helena Kadare në parathënien e librit “Maska Ra” për të përshkruar autoren e ti…j, Elisa Spiropalin. Bashkë me Helena Kadarenë edhe ne pajtohemi plotësisht, dhe na duhet të shtojmë që pas bisedës me të, zbuluam, siç nuk ndodh shpesh, një shqiptare të re që beson vërtet, beson fort, beson dhe nuk heziton. Elisa është zotuar të punojë për të përmirësuar vendin e saj që e do më shumë se çdo gjë tjetër. Elisa mund të jetonte në “Tokën e Premtuar”, por preferoi të dëgjonte zemrën, të ndiqte instinktin, dhe u kthye. Ja çfarë na tha kryetarja e “Forumit Rinor të Partisë Socialiste” FRESSH në këtë intervistë për jetën, idetë, punën, luftën, pasionet e saj…
Elisa Spiropali s’po ndal së udhëtuari nga një qytet në tjetrin. A do pushoni ndonjë ditë këtë verë?
Deri në fund të korrikut nuk do pushoj. Në gusht ndoshta pak.
Emrin tuaj e kemi dëgjuar shpesh në media, punët që ju keni bërë i njohim deri diku. Mund të na tregoni diçka për jetën tuaj?
Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Kam ikur 16 vjeçe nga Shqipëria në një kolegj ndërkombëtar, me një bursë studimi si një nga pesë gjimnazistet më të mira.
Si konkurruat, kur ishit vetëm në vitin e dytë të shkollës së mesme?
Ky konkurs bëhej çdo vit për ata që mbaronin vitin e dytë. E bënte një komision ndërkombëtar, i cili vepronte përmes Ministrisë së Arsimit. Kriteri kryesor ishte që të ishin të gjitha notat 10-ta. Konkursi u bë përmes intervistave me anëtarët e bordit të komisionit. Kolegji ku vajta unë ndodhej në Vancouver në pjesën perëndimore të Kanadasë. Ishte vërtet shumë larg. I mbaj mend udhëtimet e gjata dhe të lodhshme që më është dashur të bëj që 16 vjeç.
Vetëm ikët deri atje?
Po, vetëm ika. Shkolla kishte 200 nxënës nga disa vende të botës të cilët vinin nga gjuhë, kultura, zakone të ndryshme. Ishte eksperiencë interesante fakti që ajo shkollë bazohej në principin e diversitetit të kulturave. Vetë shkolla ndodhej totalisht e izoluar midis detit dhe malit. Ishe interesant edhe fakti tjetër se krahas vendndodhjes me karakter, si të thuash, konservativ, natyra e mësimdhënies dhe gjithçka tjetër ishin thelbësisht progresiste. Ajo shkollë ishte konceptuar pikërisht si e tillë. Si një eksperiment multikulturor progresist. Me kalimin e pak viteve u pa se ky eksperiment doli me sukses. Sot në botë ka 10 shkolla të tilla. Kam mësuar shumë nga ajo përvojë. Ndjej se më ka ndikuar shumë. Prej asaj kohe kam mësuar plot gjëra të vlefshme të cilat jam duke i praktikuar tani. Ndjenjën e pavarësisë, të lirisë, të dedikimit, i kam farkëtuar pikërisht atje, ku rreth e rrotull s’kishte asgjë tjetër, vetëm male, pyje, det.
Si ishte shkëputja nga familja në atë moshë? Patët frikë, apo mall? Si e përjetuat? Keni qarë?
Jo, nuk qava. Nuk ika nga Shqipëria për të qarë. Ika për të bërë shkollë. Ika me dëshirë për të provuar një ambient të ri, një shkollë të re, për të mësuar më shumë, për të njohur më tepër botën, të tjerët, veten. Gjëra të cilat besoj se i arrita. Jam natyrë kurioze. Gjëja më e lodhshme që kujtoj nga ajo kohë, nuk janë mësimet, por pritjet nëpër aeroporte. Shpesh më duhej të rrija edhe 24 orë në aeroport. Pjesa tjetër e kohës kalonte. Kujtimi i njerëzve të mi që i kisha larg, ma shtonte sa mallin po aq edhe forcën. Studimi rigoroz, në atë lloj izolimi dhe pavarësie nga pjesa tjetër e botës, më ka dhënë shumë.
Kishte shqiptarë të tjerë në atë shkollë?
E vetmja shqiptare ishte një vajzë nga Kosova, Besa, një prishtinalie me të cilën vazhdojmë të jemi mikesha të mira. Edhe ajo kishte fituar një bursë në një vit me mua. Kurse një vit para meje ishte një djalë, Flori. Jo më larg se dje e takova mikeshën nga Prishtina që kishte ardhur për një punë në Tiranë. Si me shqiptarët dhe me pjesën tjetër të komunitetit jemi miq edhe sot. Edhe pse nga vende të ndryshme të botës jemi bërë të afërt.
Po për shkollën e lartë pastaj, ku udhëtuat?
Ne Massachusetts. Mbaj mend përpjekjet për të aplikuar në universitet, dilemat mes kthimit, gjendjes së vështirë në Shqipëri ku askush nuk donte të kthehej, etj. Kjo ka qenë një fazë e vështirë e jetës sime. Aplikova në disa shkolla në Amerikë. Pranova të shkoj një universitet me traditë të gjatë në SHBA, “Mount Holyoke College”. Ishte edhe kjo një eksperiencë intensive. Por pavarësisht të gjitha lëvizjeve të mia nuk jam shkëputur kurrë për asnjë çast nga Shqipëria. Duke qenë se jam larguar shumë e vogël, unë kam ikur me një version romantik në kokën time për Shqipërinë. Dhe ende jam, e besoj do jem përgjithmonë e ngecur në atë version prej ëndërrimtareje idealiste brenda të cilit, përtej vështirësive, ndihem e lumtur. Idealizmi ka çmim. Unë këtë e di. Atë çmim do ta paguaj. Jo menjëherë. Duke marrë pak nga pak nga krediti i bakës së shpirtit tim, që, sa ndjej, është një kredit i pafundmë.
A ishte ky “versioni romantik” që ju bëri të ktheheni?
Idealizimi i vendit tim, dashuria e madhe për të, falja e çdo pabukurie, përfytyrimi për Shqipërinë si vendi më i bukur i botës, kanë qenë gjithmonë prezente në kokën time. Pa asnjë dyshim këto janë shkaku apo arsyeja e kthimit tim. Qëndrimin tim larg Shqipërisë e kam parë gjithmonë si një fazë të përkohshme që do të më shërbente në të ardhmen. Pasi mbarova shkollën, punova një vit në New York në një firmë ligjore në Manhatan. Por asnjëherë nuk kam menduar të jetoj atje, të sistemohem definitivisht andej. Jo se botën e urrej… Por sepse më tepër se botën dua vendin tim.
Pas disa vitesh shkëputjeje, kur prekët realitetin shqiptar, u penduat për këtë vendim? Kishit momente dyshimi?
Shqipëria është vend i vështirë dhe shpesh i ashpër. Kur e do shumë, bëhet akoma edhe më e vështirë sepse nuk do të heqësh dorë nga përfytyrimi dhe nga dashuria që ke për të. Brenda këtij kontrasti apo kësaj ndeshjeje të brendshme, kurrë nuk jam penduar që jam kthyer. Pa e tepruar aspak them se Shqipëria është ndoshta vendi më interesant në botë. Si e tillë, më duket e pabesueshme se si përveç librave të Kadaresë, Shqipëria nuk njihet pothuajse fare. Këtu historitë dhe fatet njerëzore janë aq të ndërlikuara dhe të ndërthurura sa askund tjetër. Këtu nuk ka gjëra artificiale. Këtu ka pengesa dhe vështirësi të panumërta nga më të çuditshmet që njerëzit duhet t’i tejkalojnë përditë. Ndjej keqardhje dhe kam një moskuptim se si dhe pse ndodh që pasqyrimi i këtij realiteti kaq interesant nuk ka gjetur ende një pasqyrim të denjë artistik, politik, mediatik. Jeta këtu është shumë më e vërtetë sesa pasqyra, në qoftë se me “pasqyrë” mund të quajmë Artin, mediat dhe të tjerat. Kjo lloj mungese apo kjo lloj asimetrie e pamerituar shqiptare krijon tek njerëzit një alienim, një distancë midis asaj që ndodh dhe asaj që ata do donin të ndodhte. Këto janë çështje të thella të cilave dikur dikush apo disa në një ditë do t’u japin një shpjegim dhe një zgjidhje. Por habia ime hëpërhë mbetet. Për shembull unë habitem shumë se si ndodh që për librat e shkruar keq tek ne i vihet faji lexuesit për të cilin thuhet se s’di të lexojë. Ose për një film të keq thuhet se fajin e ka spektatori që s’di të shohë filma. Për politikën e keqe, edhe për atë faji u vihet shqiptarëve në përgjithësi që s’dinë ta bëjnë. Ka edhe më keq. Gjatë bisedave mediatike televizive në lidhje me keqvajtjen e punëve faji u vihet apatisë së shqiptarëve, prapambetjes së tyre për shkak të ngathtësisë së tyre, që janë të gjitha gënjeshtra ulëritëse. Kjo ndodh sepse media, politika, ///ata që ne quajmë elita, nuk janë seriozë. Në qoftë se kjo Elitë do ta bënte punën me dhembshuri dhe dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët, rezultati nuk do të ishte ky. Asnjë punë e madhe në historinë e botës nuk është bërë pa ndjeshmëri, dhembshuri dhe dashuri.
Mendoni se ata që i quani “elita” ndoshta nuk e kanë prekur kurrë vetë realitetin e Shqipërisë, por vetëm e kanë parë nga jashtë e për këtë arsye nuk e marrin seriozisht atë që bëjnë?
Për arsye të shumta dhe vështirësisht të artikulueshme që nuk mund të përfshihen brenda një interviste, elita e sotme shqiptare është fatkeqësisht e konfiguruar në mënyrë të atillë, që këtij realitetit i ikën, i bishtnon, i frikësohet. Dhe kjo ikje e bën të kuturiset nëpër realitete të tjera virtuale, të sajuara, të ëndërruara, të imagjinuara, brenda marrëdhëniesh të tjera, sipas tyre, më të pranueshme, më të leverdishme. Besoj se në fund të fundit, e gjitha është një mungesë cilësish themelore, energjie, guximi, idealizmi.
Zgjidhjet e gabuara, i bëjnë shqiptarët, apo “elitarët” sapo prekin postin?
As të parët as të dytët. Edhe të parët edhe të dytët. Që do të thotë se zgjidhjet e gabuara janë problem edhe i këtyre edhe i atyre, pra i marrëdhënies së gabuar brenda së cilës veprojnë ose jo të dy palët. Në këtë marrëdhënie sa të gabuar dhe të keqkuptuar s’do mend që elita ka fajin më të madh.
Pse keni zgjedhur “Partinë Socialiste”?
Politika nuk është ajo që përflitet nëpër tavolina, bare, foltore apo tribuna. Politika është arti i afrimit me njerëzit, të marrjes së kështjellave të pamposhtura të simpatisë dhe besimit të tyre. Këto janë gjëra që nuk mësohen nëpër kafene, duke rrëkëllyer kafe dhe pije energjike, dhe as nëpër organizata apo shoqata të mirëpaguara, por nëpër shkolla. Për mua politika është profesioni më serioz, më fisnik, dhe më i vështirë që ekziston. Po flas për politikën e vërtetë, atë të madhen, atë që humanizon jetët, ndryshon botën. Kam bindjen e patundur se një politikë të tillë “Partia Socialiste” mundet ta bëjë. Prandaj militoj brenda saj.
Por ende nuk e kemi politikën kështu si e kuptoni dhe aplikoni ju, apo jo?
Nuk mund të bëhet e tillë politika nëse njerëzit që e bëjnë nuk e duan të tillë. Përtej atyre që thamë për elitën, duhet që edhe shqiptarët në përgjithësi të ndryshojnë diçka në qasjen e tyre ndaj saj për ta ndryshuar, përmirësuar. Jo duke u sherrosur! Me qetësi, me kujdes. Në politikën tonë fatkeqësisht nuk flitet për parime të larta, por pothuajse gjithmonë për gjiriza. Duhet ta themi edhe këtë, deri diku kështu funksionon kudo, jo vetëm në Shqipëri. Kur nuk ke paqe do kesh luftë, kur nuk ke dritë do kesh errësirë, kur nuk ke qiell, do kesh baltë. Asnjë politikë nuk i shpëton dot këtij dualizmi me të cilin bashkëjeton në ndeshje të pafundme. Politika është një armë që po të përdoret si duhet bëhet edhe e dobishme, dhe po të përdoret keq bëhet vrastare, mund të mbrojë interesat e të shumtëve, ose mund t’i sakatojë ato etj… Politika ka aftësinë t’i mbledhë njerëzit dhe t’i çojë drejt shpëtimit, apo t’i hedhë në humnerë. Mund t’i përdorë energjitë njerëzore për të ndërtuar, por edhe për të shkatërruar. Prandaj këto energji duhet të jenë në duart e duhura. Unë jam një adhuruese e lindur e politikës. Kam filluar ta lexoj politikën dhe historinë e politikës që 15 vjeç, e më pas ta studioj. Gjithmonë më ka entuziazmuar kur kam lexuar mbi veprat e mëdha të politikës, dhe mendimtarët e filozofisë dhe politikës, etj… Po ashtu edhe aktet e mëdha njerëzore që na kanë provuar se ndryshimet e mëdha nuk janë të pamundura. Me politikë të majtë natyrisht, domethënë progresive, edhe pse me domosdoshmërinë e prezencës së të djathtës.
Domethënë je e frymëzuar nga historia?
Jo vetëm. Edhe tek ideologjia, edhe tek arti. Të gjitha bashkë më kanë mësuar se politika e djathtë bazohet tek individi, për të qenë i pavarur, i pasur ekonomikisht dhe për të mos pasur detyrime shoqërore. Ky është thelbi i politikës së djathtë. Ideologjia e majtë beson tek ajo, që të gjithë bashkë mund të ndryshojmë realitetin. Betejat më të rëndësishme të botës sonë janë bërë dhe janë fituar nga e majta.
A i ka e majta jonë këto vlera, këto mundësi?
Sistemi diktatorial komunist ishte shkatërrim i fabrikës njerëzore shqiptare. Ishte gjymtim i çdo të drejte, shkatërrim i individit. Ishte sistem i bazuar tek frika, censura, spiunimi. Ai sistem nuk ishte përfaqësues i së majtës. Ishte sistem totalitar. Totalitarizmi i përputh të gjitha sistemet në një pikë antinjerëzore, qofshin këto të majta apo të djathta.
Tek potenciali i së majtës së sotme shqiptare unë besoj me shumë vendosmëri.
Ku e shikoni konkretisht këtë potencial në Partinë Socialiste, tek njerëzit që janë aty, te puna që ka bërë kjo parti? Nga një parti e dalë nga Partia e Punës një nga më ekstremistet në Europë dhe në botë, Partia Socialiste në këto 22 vite falë dedikimit të shumë njerëzve ka arritur që të reformohet radikalisht dhe ia ka arritur ta përfaqësojë një zë shumë të madh të shoqërisë shqiptare. Kjo nuk është pak. Tregon që ka një sistem imunitar shumë të fortë. Ka njerëz me potencial, dhe tashmë mban përgjegjësinë e dëshirave, fateve dhe shpresave të shumicës së shqiptarëve të cilët e votojnë.
Po a mjaftojnë këto për të qeverisur një vend?
Sigurisht që mjaftojnë. Qeverisja që kemi aktualisht çdo ditë e më shumë ka zhgënjyer dhe po ua humb shpresën njerëzve që këtu gjërat mund të bëhen ndryshe. Ka dy mandate që qeveris përmes një aleancë jo natyrale politike vetëm për të mbajtur pushtetin duke e vjedhur dhe shkatërruar vendin në mënyrën më barbare dhe ka treguar që nuk qeveris dot pa hajdutë, pa banditë dhe pa politikë të skutave.
Çfarë keni konstatuar si gjënë më të rëndësishme në Partinë Socialiste ju si drejtuese e “Forumit Rinor të Partisë Socialiste”?
Kam parë një frymë reaguese dhe kundërshtuese më shprehëse, që nuk e kam parë në asnjë forcë tjetër politike. Duke parë forumet e brendshme dhe mënyrën se si organizohen, unë shoh tek ata një sistem imunitar funksionues për të reaguar dhe për të kundërshtuar në mënyrë të shëndetshme pa dëmtuar askënd. Të gjitha këto janë me rëndësi vitale brenda një force politike dhe janë tregues që qeverisja jonë do të jetë pakrahasimisht më e mirë. Kam parë një sistem meritokratik më të qenësishëm. Kam parë zgjedhjet brenda forumeve që janë grupime të mëdha shqiptarësh dhe shqiptaresh që duan progresin dhe njohin disiplinën, respektojnë rregullat.
Ju mbaheni edhe si personazhi që humbi 7 kilogram në grevën e urisë. Ja vlejti?
Nuk ishte çështje kilogramësh. Kishte të bënte me forcën shpirtërore dhe jo me rezistencën fizike. Përderisa mora vendimin ta bëja, sigurisht që ja vlente. Besoj kështu është jo vetëm për mua, por për të gjithë grevistët që i kujtoj shpesh me respektin më të madh. Kur beson në diçka, pasojat nuk janë të rëndësishme. Besova në atë që bëra, dhe kjo më mjaftoi ta bëja, edhe po të kisha vdekur.
Kishit momente që u frikësuat dhe donit ta ndërprisnit grevën?
Unë nuk e ndala grevën. Unë nuk dola nga greva. Mua nga greva më nxorën me barelë. Këtu s’ka asnjë çudi, madje dhe asnjë heroizëm, dhe unë këtë nuk e them për t’u mburrur. Ka plot raste në botë kur njerëzit kanë bërë sakrifica shumë më të mëdha për gjëra shumë më të vogla. Për një arsye të vetme: Sepse kanë besuar.
Do e bënit sërish?
Pafundësisht herë për kauza tek të cilat besoj.
Për Partinë Socialiste?
Po. Por duhet pasur parasysh se greva për të cilën folëm dhe në të cilën mora pjesë, përfaqësonte shumë më tepër se thjesht një parti. Ishte çështje e të tërëve, jo e pjesës.
Cili është kontributi juaj personal, çfarë po i jepni ju vendit tonë sot?
Kjo nuk është pyetje për mua. Kjo është pyetje për vendin. Megjithatë, ndoshta mund të tingëllojë klishe dhe e tepërt, sa më përket mua, ajo që më udhëheq, është dashuria e pakushtëzuar që kam për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo lloj dashurie dhe dhembshurie më bën t’i tejkaloj edhe ndarjet e tjera të cilat janë minore përpara asaj që i kam vënë synim vetes: Në çdo punë që bëj, të jap sa më tepër, të marr sa më pak. Në qoftë se një ditë do ndodhë e kundërta, do të jetë njësoj sikur të kem vdekur.
Do i keni këto parime kur të ngriheni në detyrë?
Është një shprehje e Havelit që thotë “Politika është metafizikë”. Pra asgjë që bëhet, që ndodh, nuk mbetet pa u parë. Politika e vërtetë dhe punët e mëdha bëhet nga njerëzit e vërtetë, të cilët, me vizonin, pse jo, duke iu referuar gjithmonë Havelit, edhe me delirin e tyre, besojnë tek ato që bëjnë. Puna dhe kontributet e njerëzve seriozë dhe të dedikuar mbetet. Unë besoj tek kjo. Prandaj respektimi dhe zbatimi i parimeve të mia nuk varet nga koha.
Një femër e fortë si ju, duhet ta ketë në krah një mashkull të fortë, apo jo?
Po. Unë nuk e fsheh që e kam në krah një mashkull të fortë me të cilin jam e dashuruar. Unë me atë dhe ai me mua… Nuk rrimë dot asnjë çast pa njëri-tjetrin. Është vetë i bukur dhe emrin e ka të bukur. Quhet ‘Pasion’.
Vërtetë “Pasion” e ka emrin ai djali?
Po. Por mos u lodhni ta njihni, ta shihni, fotografoni. Atë e shohin vetëm sytë e mi.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb