Presidenti francez Emmanuel Macron është duke u takuar sot në Moskë me Presidentin Vladimir Putin, në përpjekje për të parandaluar rrezikun e një pushtimi të Ukrainës.

Ai i tha homologut të tij rus, Vladimir Putin se Evropës dhe Azisë i duhet një përgjigje “e dobishme” për t’i dhënë fund ngërçit në Ukrainë.

“Një përgjigje e dobishme do të thotë një përgjigje që na mundëson të shmangim luftën dhe të ngremë struktura besimi dhe stabiliteti”, i tha zoti Macron zotit Putin gjatë takimit në Kremlin për krizën në Ukrainë.

Megjithatë, Kremlini tha paraprakisht se nuk pret një zgjidhje të menjëhershme të ngërçit me Perëndimin.

“Situata është tepër komplekse për të pritur një arritje vendimtare gjatë një takimi të vetëm”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Gjatë ditëve të fundit, nuk ka patur asgjë të re për çështjen e garancive të sigurisë për Rusinë”, tha zoti Peskov. “Bashkëbiseduesit tanë perëndimorë preferojnë mos ta përmendin këtë temë”.

Moska ka dislokuar mbi 100 mijë forca përgjatë kufirit lindor të Ukrainës dhe në Bjellorusi. Perëndimi mendon se zoti Putin mund të urdhërojë në çdo moment një pushtim të kësaj republike ish-sovjetike.

Franca, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s kanë refuzuar kërkesat e Moskës për të përjashtuar mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën perëndimore të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Përpara se të largohej nga Parisi, zoti Macron i the gazetës Le Journal du Dimanche, se “duhet të jemi shumë realistë. Nuk do të përftojmë gjeste unilaterale, por është thelbësore të parandalojmë një përkeqësim të situatës, përpara se të kemi krijuar mekanizma dhe gjeste reciproke mirëbesimi”.

Pas takimit me zotin Putin, Presidenti francez do të jetë të martën në Kiev për bisedime me udhëheqësit ukrainas.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb