Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka folur për procesin integrues të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, ndërsa u ndal konkretisht tek Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ai tha Bashkimi Europian ka nevojë për të reformuar procedurat  e anëtarësimit  para se t’u  thotë “Po” përpjekjeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për  anëtarësim.

“Nëse duam një Evropë të fuqishme, ajo duhet të lëvizë më shpejt dhe të jetë më e integruar. Kjo nuk përputhet me hapjen e një procesi zgjerimi tani. Të paktën, nëse themi se ‘do të përpiqemi, do të investojmë, do t’i nxisim bizneset të lëvizin me shpejtësi përpara, do të investojmë për zhvillimin, kulturën dhe edukimin. Kjo do të kishte kuptim. Por është absurde të hapësh një proces thjesht burokratik. Pyetini ata ( të gjitha vendet e BE-së) nesër nëse duan të hapin derën për Shqipërinë. Gjysma e tyre do të thonë jo. Ata duan të hapen me Maqedoninë e Veriut, e cila është vend i vogël dhe ka ndryshuar emrin, gjë që është një arritje e vërtetë historike. Nuk frikëson askënd. E vërteta është që nëse nuk i hapemi Shqipërisë, do të shkaktojmë një traumë të tmerrshme në rajon. Kudo ka komunitete shqipfolëse. Nëse poshtëron Shqipërinë, atëherë rajoni destabilizohet në mënyrë të pakthyeshme.  Bindja ime është se, së pari, ne duhet të reformojmë procedurat tona të anëtarësimit, të cilat nuk janë më të përshtatshme për qëllimin e tyre, nuk janë strategjike. Ato nuk janë politike, janë tepër burokratike dhe jo të kthyeshme, ndërkohë që duhet të jemi në gjendje në një moment të caktuar të marrim në konsideratë çështjen e kthyeshmërisë”-tha ai.

Në një intervistë për “The Economist”, Presidenti Emmanuel Macron, theksoi se nëse BE do të shqetësohet  për këtë rajon, më parë duhet të “harrojë” Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të merret me Bosnjë Herzegovinën, të cilën e konsideroi si një “bombë me sahat”  pasi po përballet me kthimin e xhihadistëve.

“Nëse shqetësohemi për këtë rajon, pyetja e parë nuk është as Maqedonia e Veriut, as Shqipëria, por Bosnje-Hercegovina. Nëse e arrijmë këtë reformë në muajt e ardhshëm, unë do të jem i gatshëm të hap negociatat, nëse ata bëjnë edhe disa përpjekje shtesë që kanë mbetur. Por unë nuk dua asnjë anëtar tjetër të ri pa u reformuar vetë Bashkimi Evropian. Për mua, ky është një parakusht i sinqertë dhe i domosdoshëm”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: