Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez kritikoi ashpër vendimin e Britanisë së Madhe për të vendosur në karantinë të gjithë udhëtarët që vijnë nga Spanja duke e gjykuar si të papërshtatshëm.

Në një intervistë të dhënë për televizionin privat “Telecinco”, ai argumentoi se vendet shumë të varura nga turistët britanikë si Ishujt Baleare, Kanarie dhe rajonet e Valencias dhe të Andaluzisë ishin destinacione të sigurta.

”Këto rajone kanë një incidencë të akumuluar të koronavirusit më të ulët se ajo e regjistruar aktualisht në Britaninë e Madhe, që do të thotë në terma epidemiologjik se këto destinacione janë në të vërtetë më të sigurta se Britania e Madhe”, shtoi ai.

Kryeministri argumentoi se shpërndarja e rasteve të kontaminimit në Spanjë ishte “e pabarabartë” pasi rreth dy të tretat e rasteve të reja janë regjistruar në dy rajone, Aragonë dhe Katalonja.

“Qeveria jonë është në diskutime me drejtuesit britanikë, në përpjekje për t’i bindur ata të rishqyrtojnë një masë e cila sipas mendimit tonë është e papërshtatshme”, deklaroi ai.

Vendimi i Britanisë së Madhe për të vendosur një karantinë  për të gjithë udhëtarët që vijnë nga Spanja pati efektin e një stuhie, pasi britanikët përbëjnë kontigjentin e parë të vizitorëve të huaj në Spanjë, me 18 milionë në 2019.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet britanike”, nënvizoi Pedro Sanchez duke theksuar se në një pjesë të mirë të territorit spanjoll ekziston një kontroll mjaft rigoroz i epidemisë.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb