Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i ka ftuar qytetarët të dalin në rrugë në mbështetje të rendit kushtetues pas tentativës për grusht shteti të udhëhequr nga lideri opozitar Juan Guadio, i cili më herët është vetëshpallur president i përkohshëm.

Në një deklaratë në median sociale, Maduro tha se është takuar me komandantët dhe se ata kanë shprehur besnikërinë e tyre të plotë ndaj kushtetutës dhe popullit.
“U takova me të gjithë komandantët që treguan besnikërinë e plotë ndaj popullit, kushtetutës dhe atdheut. E ftoj popullin në rrugë për të siguruar fitoren e paqes dhe për të mbrojtur rendin kushtetues. Do të fitojmë!”, tha Maduro.

Kryetari i parlamentit në Venezuelë, Juan Guaido, i cili me 23 janar ka shpallur veten si president i vendit, në orët e para të mëngjesit në rrjetin social Twitter publikoi një video treminutëshe dhe u bëri thirrje ushtarëve dhe qytetarëve për të dalë në rrugë.

Nga llogaria e tij në Twitter, Guaido postoi një video me një grup ushtarësh përreth tij në afërsi të bazës ajrore La Carlota në Karakas.
Në video Guaido ndodhet përpara një automjeti të blinduar pranë një grupi ushtarak dhe aktivistit opozitar në arrest shtëpiak Leopoldo Lopez dhe u bën thirrje ushtarëve që të dalin në rrugë për të mbrojtur kushtetutën.

Ndërkohë, bëhet e ditur se në kryeqytetin Karakas ushtarët kanë bllokuar disa rrugë dhe në disa rrugë janë vërejtur automjete ushtarake.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb