Presidenti i Venezuelës i cili tashmë e ka humbur legjitimitetin në Perëndim, Nicolas Maduro, e ka quajtur qeverinë e Donald Trump një bandë ekstremistësh duke fajësuar SHBA për krizën e vendit të tij. Në një intervistë me BBC, Maduro tha se nuk do të lejonte ndihma humanitare në Venezuelë, pasi ishte një mënyrë për SHBA-të që të justifikonin një ndërhyrje. Ata po nxisin luftën për të marrë kontrollin e Venezuelës, tha ai gjatë intervistës. Maduro theksoi se shpresonte që “ky grup ekstremist në Shtëpinë e Bardhë të mposhtet nga një opinion i fuqishëm publik në botë”. Duke folur në kryeqytetin Caracas, ai i tha Orla Guerin të BBC-së:

“Është një luftë politike, e perandorisë së Shteteve të Bashkuara, të interesave të së djathtës ekstreme që qeveris sot, i Ku Klux Klan, që drejton Shtëpinë e Bardhë, per të marrë kontrollin e Venezuelës”.

SHBA ka vendosur një varg masash ekonomike mbi Venezuelën, duke përfshirë sanksione kundër ndërmarrjes shtetërore të naftës, me qëllim goditjen e burimit kryesor të të ardhurave të vendit. Ëashingtoni ka kritikuar përdorimin e gjykatave dhe forcave të sigurisë nga ana e Maduros për të shtypur opozitën në këtë vend të Amerikës Latine.  Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë perëndimore kanë njohur udhëheqësin e opozitës Juan Guaido si President i përkohshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb