NË SHËNJESTËR

Ajo që do ta materializonte korrupsionin, sipas dosjes hetimore do të ishte një video e dytë.
Edhe kjo, e gjetur në telefonin e ‘Rrumit’.
Ku edhe këtë herë personazhi që shfaqet në pamjet filmike, është Irgen Kërçuku.
Në këtë video, sipas transkriptimit të bërë nga grupi i ekspertëve, del qartë veprimi i dhënies së një sasie parash drejt personit që është nënpunës i administratës publike.
Ky person, sipas përshkrimit të pamjeve, është i veshur me bluzë me ngjyrë të kaltër, pantallona të shkurtra ngjyrë të bardhë dhe atlete ngjyrë të zezë.
Si edhe mban në dorë një çantë ngjyrë të zezë dhe paketë të markës ‘Slims’.

Ku në kohën 2 minuta e 2 sekonda, shfaqen pamjet ku zyrtari merr një sasi parash.
Ndërsa gjatë bisedës, ‘I Interesuari’, që nga SPAK identifIkohet si Aleksandër Laho, përmend edhe një takim me kryeministrin Rama.

I interesuari: …Ja këtu mbrapa
Zyrtari: Në rregull
I interesuari: (Momenti që i jep lekët zyrtarit) Mbaji këto një herë, në gusht kemi të tjera
Zyrtari: Sa psh?
I interesuari: Kaq kisha, hipotekën, më tepër mbaji… edhe ta përfundojmë një herë… kaq, skisha më tepër.
Zyrtari: Në Tiranë kush ta rregulloji?

I interesuari: Po tashi ti duhet të më ndihmosh, ke një, ke dy…Katër milionë lekë edhe dy, gjashtë, të kam 4. Po të them edhe diçka tjetër… duhet të takohesh me të…
Zyrtari: Po pra po. Dhe mbrapa do…
Personi i tretë: Po lene atë. I gjetëm një tokë.
I interesuari: Për problemin me kryetarin… do takojnë Edi Ramën sot ato…
Edhe ti mundohu pak për këtë pjesë.
I interesuari: shiko si është muhabeti i 5 milionshit
Zyrtari; po lene se e thërrasin… tani pjesën tjetër kur do ta sjellësh..
I interesuari: Kur të mbarojmë punë, kur të marri formë të preme.

Sipas dosjes hetimore dhe transkriptit të bisedës, nuk ka dyshime se, zyrtari që shfaqet në pamje filmike, është Irgen Kërçuku, ish- Avokat i Shtetit për degën Durrës.

Gjë që u konfirmua edhe nga kqyerja e sistemit policor DEEPSEE i realizuar në datën 7 Tetor 2022.
Nga ku rezultoi se shtetasi Irgen Kërçuku ishte punonjës i Avokaturës së Shtetit, Dega Durrës.
Po sipas të dhënave hetimore, ky shtetas kishte qenë i punësuar në këtë zyrë edhe në vitin 2017.
Kohë, kur sipas aktit të ekspertimit, janë zhvilluar bisedat që dyshohet se kanë lidhje me veprime korruptive me procesin gjyqësor të një pasurie të paluajtshme, ku avokatura e shtetit ishte palë në proces.

Ndërkohë që ‘I Interesuari’ nuk ishte askush tjetër, veçse Aleksandër Laho, apo ‘Rrumi’.
Personi, i cili mesa duket kishte marrë përsipër ta çonte vetë deri në fund këtë punë, por që kishte zgjedhur t’i filmonte vetë viktimat e tij me qëllim që më pas ti shantazhonte.
‘Rrumi’ i cili i premton dhe i jep Irgen Kërçukut një sasi parash, me qëllim që ky i fundit të delegojë një të drejtë të Avokatit të Shtetit tek një zyrë tjetër.
Por këto dy video mesa duket nuk ishin të vetmet që kompromentonin ‘Zyrtarin’ dhe ‘Të Interesuarin’

Një video e tretë e gjetur në telefonin e Aleksandër Lahos, sipas procesverbalit të datës 27 Tetor 2021`, tregon një tjetër moment kur ‘Rrumi’ i jep një sasi tjetër parash, Irgen Kërçukut.
Irgen Kërçuku, pranoi para grupit hetues, se ai e njeh ‘Rrumin’.
Dhe se në vitin 2017, ky person i ka kërkuar, që Irgeni në cilësinë e Avokatit të Shtetit, të mos bënte apelim të vendimit që Gjykata Administrative Durrës, do të merrte lidhur me padinë e shtetasit, Pal Seçuni.

Pasi ai e kishte rregulluar me hipotekën që nga ana e këtij institucioni të mos bëhej apelim.
Për këtë qëllim, Irgen Kërçuku, pranoi se ‘Rrumi’ i kishtë dhënë një shumë prej 9 milion lekësh të vjetra në dy këste.

Ku herën e parë i kishtë dhënë 6 milionë dhe herën e dytë 3 milionë lekë.

Pal Seçuni kishte paditur anullimin e urdhërit të ndalimit të regjistrimit për një pasuri me sipërfaqe prej 45 mijë m 2 me vendndodhje në fshatin Draç, Durrës, si dhe detyrimin e kësaj zyre për ta regjistruar këtë pronë.

Por ndërsa bënte këto deklarime, Irgen Kërçuku, tha për grupin hetues, se ai kishte qenë i detyruar të kryente këtë akt korruptiv, pasi më herët grupi i Rrumit e kishte dhunuar fizikisht.

“Unë kam qenë i kërcënuar nga ‘Rrumi’ për të marr shumën 9 milionë lekë, pasi vetëm disa muaj më parë unë isha rrahur dhe kërcënuar nga dy persona, lidhur me një process tjetër gjyqësor që i përkiste truallit të ish NPV-Durrës”, tha ai.

Por mesa duket dhuna ishte një praktikë e zakonshme nga Rrumi.

Që edhe këtë herë pasi mbaroi punë, nën kërcënim, e detyroi Irgen Kërçukun, gjithmonë sipas këtij të fundit, që t’i kthente paratë që i kishte dhënë.

“Pasi u njoha me aktet e dosjes, unë u ritakova me ‘Rrumin’ dhe i thashë atij se do të bëja delegimin e çështjes te insitucioni përkatës. Pasi vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë mori formë të prerë, ‘Rrumi’ erdhi dhe më takoi përsëri dhe nën shoqërinë e 3-4 personave të tjerë duke më kërcënuar më kërkoi mbrapsht të gjithë shumën e parave, që më kishte dhënë më parë. Pas kësaj momenti unë shkova në banesë, mora paratë, dhe ia ktheva mbrapsht Rrumit”, tha ai.

E gjithë kjo mizanskenë ngjarjesh, u konfirmua edhe nga hetimet e mëvonshme të prokurorisë.
Ku nga hetimet doli se, ashtu sikundër flitet në bisedat me ‘Rrumin’, Avokati i Shtetit, Irgen Kërçuku, ia delegoi të drejtën e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të shtetit, institucionit të paditur që është Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme, Tiranë, ku në fashikullin gjyqësor gjendet vendimi i gjyqtarit Ergys Gashi, nëpërmjet të cilit, është vendosur pranimi i padisë së shtetasit Pal Seçuni, si edhe konstatimi i pavlefshmërisë absolute të urdhërit nr.632 datë 23 Shtator 2016 i ZQRPP Tiranë dhe detyrimi i të paditurit ZVRPP Durrës për regjistrimin në emrin e paditësit, të pasurisë me sipërfaqe 40 000 m2.
Pjesë e pasurisë me nr. 152/9 dhe pasurisë 152/10 me sipërfaqe 3 000 m2.
Sipas këtij fashikulli, vendimi mori formë të prerë në datën 30 Qershor 2017, duke mos u bërë ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Ashtu siç në të vërtetë, ‘Rrumi’ dhe Irgen Kërçuku në cilësinë e Avokatit të Shtetit, dega Durrës, kishin rënë dakord edhe më herët.

Lidhur mbi këtë rast, një tjetër fakt që konfirmoi aktin korruptiv dhe lidhjen e personit të interesuar, në këtë rast Pal Seçuni, me ‘Rrumin’, ishte edhe akti i ekspertimit teknik kompjuterik të celularëve dhe kartave SIM, i telefonit të Aleksandër Lahos, i kryer më 31 Gusht 2020, nga ku doli se në folderin Thumbnails janë evidentuar disa foto, dokumente, të emërtuara Pal Seçuni, si dhe tre foto të një parcele toke.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: