TIRANE– Pak ditë pasi policia zbuloi më shumë se 11 tonë lëndë narkotike në ish-magazinat e rezervave të shtetit në Përmet, detaje të reja dalin në dritë. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton dy biznesmenë nga Tirana dhe një nga Tepelena, pasi dyshohet se janë pronarët e lëndës narkotike.

Bazuar në tabulatet telefonike dhe dëshmive të banorëve të fshatit ku u gjet lënda narkotike, Prokuroria dyshon se dy biznesmenë nga Tirana të cilët kanë në pronësi disa lokale dhe pika bastesh janë financuesit kryesorë të aktivetit kriminal, ndërsa identiteti i tyre nuk bëhet i ditur. Mes të arrestuarve për ngjarjen e ndodhur më 7 prill 2017, nuk është asnjëri prej pronarëve të drogës dhe as kultivuesit e bimës narkotike.

Pas zbulimit të kësaj sasie të madhe hashashi në Përmet, Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasit Rustem Muçelli, 51 vjeç, dhe Eqerem Ali, 60 vjeç, banues në fshatin Pagri, Përmet, ndërsa është shpallur në kërkim Ismail Saliu, 61 vjeç, banues në po atë fshat.

Asnjëri nga këta shtetas nuk ka lidhje me kultivimin, as me grumbullimin e drogës, por arrestimi i tyre është bërë sepse kishin përdorur magazinat ku u gjet hashashi vitet e fundit. Për këtë ngjarje, nga Policia është bërë ndalimi edhe i kryeplakut të fshatit Pagri, shtetasi Koço Zaimaj, 58 vjeç. Ai akuzohet se nuk ka raportuar grumbullimin e sasisë së hashashit në magazinën ku u gjetën 11 tonë hashash.

Pas gjetjes së drogës, është marrë vendim për shkarkimin e shefit të komisariatit të Përmetit bashkë me katër vartës, ndërsa ka nisur procedim edhe për drejtorin e Policisë së qarkut Gjirokastër, zv.drejtorin dhe shefin e sektorit të hetimit të trafiqeve.

Ky mosveprim i Policisë, në të paktën katër muajt e fundit gjatë të cilëve është grumbulluar droga, dyshohet se ka ardhur si pasojë e bashkëpunimit të individëve të veçantë të Policisë me grupin që ka kultivuar e grumbulluar sasinë e drogës në ish-­magazinat e Rezervave të Shtetit në fshatin Pagri të Përmetit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb