Pavarësisht problemeve të shumta ekonomike me të cilat janë duke u përballuar, familjet beratase nuk e kanë humbur ndër shekuj traditën e mbrëmjeve. Duket sikur ata për një çast i harrojnë hallet dhe mblidhen së bashku për të kaluar mbrëmjet nën freskinë e lulishteve dhe nën ritmet e muzikës që ofrojnë bizneset përgjatë Pedonales së qytetit, ndërkohë që për asnjë çast ata nuk e kanë ndalur traditën e hershme beratase, atë të xhirove në bulevard. Siç edhe duket nga pamjet filmike, atmosfera që ofron Berati mbrëmjeve është magjike.

I mbuluar nga dritat në çdo zonë muzeale, vezullimi i ngjyrave mbi Urën e Goricës dhe Urën e Varur që reflekton mbi ujërat e lumit Osum, muzika në çdo bar e bujtinë dhe ushqimi tradicional beratas ka tërhequr çdo ditë e më tepër në qytet turistët. Të ardhur nga të gjitha vendet e botës, ata i sheh mbrëmjeve duke shëtitur nëpër qytet dhe në çdo bar e restorant duke u freskuar dhe argëtuar. Këtë sezon turistik vere, bashkia e Beratit ka organizuar dhe vazhdon të organizojë edhe një mori aktivitetesh mbrëmjeve, për të krijuar atmosferë festive në qytet, në funksion të turizmit.

Qytetarët beratas shprehen se, pavarësisht halleve dhe lodhjet së ditës, atmosfera festive e mbrëmjeve në qytet i relakson, ndërsa turistët e shumtë në Berat shprehen të mrekulluar nga ky qytet. “Vijmë në Berat për herë të parë dhe jemi befasuar nga bukuria e këtij qyteti. Kemi vizituar lagjet muzeale me rrugicat e tyre me kalldrëm, kemi parë kalanë madhështore të Beratit dhe tashmë në darkë çdo gjë është e bukur edhe në qendër të qytetit, me muzikë e argëtim. Ajo që na ka mrekulluar nga ky qytet muze është ushqimi i shijshëm dhe mikpritja e banorëve të këtij qyteti”-,shprehen turistët e ardhur në Berat.

Berati u përket atyre qyteteve ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Qyteti i mirëfilltë u themelua në vitet 313-310 para krishtit, si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea. Shekuj më vonë, kur qyteti u pushtua nga bullgarët në shekullin e IX-ë u quajt Belgrad (Qytet i bardhë). Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze dhe sot ai trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë.

Në datën 8 Korrik te vitit 2008, Berati u regjistrua në listën e trashëgimisë botërore UNESCO, ku u vlerësua si një shembull i rrallë i arkitekturës tipike Osmane, ku “ngjizen” natyrshëm historia, arti dhe arkitektura e monumenteve dhe dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare e kulturore përgjatë shekujve. Vlerat e rralla historike dhe arkitektonike që ka Berati kanë rritur nga viti në vit interesin e turistëve vendas e të huaj për ta vizituar atë. Vetëm gjatë vitit 2022 numërohen rreth 17 mijë vizitorë shqiptarë dhe turistë të huaj, që e kanë zgjedhur Beratin si destinacionin e preferuar turistik.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: