Vota e emigrantëve në zgjedhje ka krijuar debat mes ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, dhe analistëve Skënder Minxhozi e Arjan Vasjari, në emisionin ‘Real Story’, në News24.

Analistët kanë këmbëngulur të dinë se kur do të bëhet e mundur që emigrantët të votojnë dhe sa garanci do të ketë vota e tyre, ndërsa ministri Majko është përgjigjur me tone të ashpra se procesi do të nisë që më 2021.

Sa i takon garancisë së votës, Majko tha se nuk ka si të vidhet vota e tyre, pasi nuk mundet kryeministri Edi Rama të shkojë në Kanada apo ku janë emigrantët për t’iu kërkuar votën, duke iu thënë se ‘do iu fus vëllain apo motrën në punë’.

Pjesë nga debati:

Minxhozi: Ju e keni ndërtuar skenën komplet? Ka kaluar njeri nëpër vrimën e çelësit të opozitës, sepse ajo do ta bllokojë?
Majko: Nëse diskutojmë keqbërjen, kjo është një klasë politike që e kanë mendjen vetëm për të vjedhur votat e njëri-tjetrit, këtu gjithmonë janë vjedhur votat. Duhet t’i themi emigrantëve se duhet të presim sa të rriten pak këta politikanë. Si u diskutoka kështu?

Minxhozi: E keni parë si flasin ata të opozitës, vetëm shajnë.
Majko: Gjithë ky shqetësim i madh se do vidhen, do hapen letrat… Do ketë ndonjë keqkuptim në proces, por unë flas për një proces që do të vijë në kolaudim. E drejta nuk mund të negociohet. Pse do diskutojmë ne votën e diasporës që do vijë e do hedhë ne erë sistemin. Sa kanë rrëzuar sistemet votat e diasporës në Itali, Gjermani, etj. Asgjë s’ka ndryshuar, sepse të gjithë janë motra, vëllezër, me këtë sistem që vjedhim në Whatsapp. Pra, të mos i fryjmë kësaj historie se këtu do të ndodhë diçka e jashtëzakonshme, pasi asgjë nuk do të ndodhë, thjesht do iu jepet e drejta këtyre njerëzve për të votuar.

Çfarë faji ka ai shtetasi atje jashtë, do të dëgjojë kur të hedhë vellon e ul vellon politika shqiptare. Duhet t’ua japim të drejtën e votës, është një gjë që funksionon në çdo vend. Është turp, edhe Kosova e futi votën e emigrantëve dhe kjo nuk solli një dramë të madhe. Ne e kemi pak gjakun më të nxehtë, por këta njerëz kanë dëshirë të votojnë si gjithë të tjerët.

Vasjari: Ndahemi me Majkon se përpjekja nuk është vetëm për t’iu garantuar të drejtën e votës, por për t’iu garantuar që e drejta e tyre do iu lexohet qartë. Ne jemi delja e zezë, sepse kemi 30 vjet që nuk krijuam një model të saktë. Është krim që nuk iu është dhënë e drejta e votës atyre, por duhet sjellë në një shtrat konkret. A mund të kenë garanci ata për votën e tyre, se nuk do të manipulohet?
Majko: Kam që më 2017 mor vëlla që shkoj në Parlament dhe i kap e iu them si do të bëhet. Sot ne kemi një opozitë që nuk është në parlament, nuk është në pushtetin lokal, dhe ne duhet të negociojmë.

Minxhozi: Kur mendoni se emigrantët do të mund të votojnë?
Majko: Në zgjedhjet e 2021. Nuk mendoj se efekti i diasporës do të ndjehet në 2021, por do të fillojë në këtë vit. Në një moment mund të votojnë 5 mijë vetë, por në një moment mund të votojnë 200 mijë vetë. Në diasporë ne kemi pjesën më vibrante. Me këtë nivel mental politik, jalla në 2031 të binden palët se diçka mund të ndodhë, atje, diku, dikur, me të drejtën e votës të shtetasve tanë jashtë vendit. Po rritet një brez, që është shumë i lidhur me Shqipërinë, por ka dhe prej tyre që duhet të dimë t’i ofrojmë, se janë shumë më të mençuar nga sa i mendojmë ne. Interesat politike meskine na ka sjellë në këtë situatë kolapsi, se po të kishim një politikë normale, do të kishim opozitën në parlament dhe mund ta garantonim të drejtën e votës së tyre. Ky është një popull i lodhur nga lojërat politike. Si do vidhet vota e emigrantëve, do shkojë Ed Rama në Kanada dhe do iu thotë ‘do iu fus motrën, vëllain, në punë’? Ata socialistë që njoh unë janë me zemër vëlla, vijnë edhe në mes të natës po t’i thërras.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb