TIRANE-Deputeti socialist Pandeli Majko do të komentonte ne Komisionin Parlamentar e Ligjeve edhe procesin e deritanishëm të reformës në drejtësi. Në një prononcim për mediat, duke iu referuar ngecjes së kësaj reforme prej dy ditësh, Majko apeloi sërish për realizimin e kësaj reforme.

“Ne jemi në prag të një dështimi të madh, ose suksesi të madh. Nëse Shqipëria nuk miraton reformën në drejtësi, rrezikojmë të kthehemi në një shoqëri gjysmësiciliane. Kjo duhet thënë kështu siç është për të kuptuar rrezikun dhe dështimin që na kanoset. Dështimi i cili nuk mbetet një dështim politik, por për të gjithë shoqërinë tonë”, -tha ai. Për socialistin Majko, ligji i dekriminalizimit më shumë sesa efektiv, ka mbetur në suazën e moralit, pasi, siç tha ai, asnjë prej zyrtarëve të cilët iu publikuan emrat për të kaluar me precedentë penalë, nuk rrezikon mandatin. “Mua më shqetëson fakti se gjykatat dhe prokuroritë tona nuk janë në gjendje që të dënojnë. Kam përshtypjen se ligji i dekriminalizimit ka mbetur në suazën e tij të një ligji moralizues. Megjithatë, fjala e fundit i takon kohës dhe jo ne”- tha Majko në një dalje publike për mediat.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: