Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko gjatë fjalës së tij në seancën e Komisionit për Çështjet Ligjore, ku po diskutohet buxheti i vitit 2023, theksoi se duhen të zgjidhen çështjet financiare që prek votimin jashtë vendit për emigrantët.

Majko theksoi se votimi jashtë vendit kërkon infrastrukturë plotësuese, duke shtuar se Ministria e Financave dhe KQZ duhet të ndërhyjnë që procesi mos të bllokohet për shkaqe financiare, duke e kthyer më pas çështjen në politike.

“Më vjen çudi që nuk ka pasur rakordim nga Ministria e Financave për të shtuar një drejtori të veçantë. Kjo duhet të ishte parashikuar. Mos e vini Komisionin në pozicion të vështirë. Duhet të shtohet fondi i pagave për këtë strukturë. KQZ, pas miratimit të kësaj drejtorie do të zbatojë dhe udhëtimin për votimin jashtë vendit. Kjo do të mendohet që tani që të kemi një buxhet të ndarë në faza, që mos të na bjerë si ‘bombë’. Procesi teknik kërkon procedurë tjetër. Ndaj Ministria dhe KQZ duhet të vijojnë me fazat për emigrantët, që mos të themi se e kemi të drejtën e votimit, por s’kemi mundësi financiare. Kërkohet organizim më i mirë financiar mes Ministrisë së Financave, dhe KQZ. Kjo pasi rrezikohet që çështja të kthehet në çështje politike.”, tha Majko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb