​​​​​​​Sekretarja e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal të Ballkanit Perëndimor, Majlinda Bregu, shpjegon në intervistë me DW pse duhet të vazhdojë Procesi i Berlinit edhe pas largimit të kancelares Angela Merkel.

Deutsche Welle: Zonja Bregu, në Ballkanin Perëndimor është krijuar përshtypja se Procesi i Berlinit, të ciline inicioi kancelarja Angela Merkel shtatë vjet më parë, nuk ishte asgjë tjetër, veçse një mundësi për kryetarët e shteteve dhe qeverive të rajonit që të bëjnë fotografi të bukura me kancelaren gjermane. A ka arritur Procesi i Berlinit diçka konkrete në vitet e fundit, përveç heqjes së tarifave “roaming” në rajon?

Majlinda Bregu: Heqja e tarifave roaming nuk është aq e thjeshtë BE-së iu deshën gati dhjetë vjet, ndërsa Ballkani Perëndimor e arriti për dy vjet. Mendoj se ky është një sukses i madh. Projekti i një Ballkani Perëndimor pa roaming nuk ka vetëm domethënie praktike. Ka edhe një përbërës simbolik, që na tregon se mund t’i realizojmë gjërat vetëm nëse punojmë së bashku dhe për të plotësuar pritmëritë e qytetarëve në rajon.

Ky është padyshim i vetmi kombinim i suksesshëm dhe kjo është arsyeja pse ne preferojmë të flasim për tarifat roaming. Por Procesi i Berlinit ka dhe shumë anë të tjera: ai është ende i vetmi forum, në të cilin krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të diskutojnë dhe formësojnë prioritetet e tyre të përbashkëta me disa nga vendet e BE-së, Komisionin e BE-së, shoqërinë civile dhe institucionet ndërkombëtare financiare.

Një nga nismat aktuale për Ballkanin Perëndimor është Tregu i Përbashkët Rajonal, për të cilin ju si sekretare e RCC keni punuar shumë intensivisht. Ajo synon të realizojë deri në vitin 2024 katër liritë e BE-së, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Por që nga nëntori i vitit 2020, kur ky plan u miratua në Sofje, është bërë pak përparim? Përse?

Tregu i përbashkët është një mundësi e shkëlqyeshme për të vendosur në rajonin e Ballkanit Perëndimor diçka të ngjashme si në BE. Banka Botërore ka llogaritur se vetëm ky do të rrisë prodhimin kombëtar bruto të Ballkanit Perëndimor me 6,4 përqind. Që nga viti i kaluar ne kemi punuar shumë për të avancuar negociatat mbi marrëveshjen për lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti.

Teknikisht, nuk ka asnjë pengesë për të pranuar këtë marrëveshje. Të gjitha vendet kanë treguar gatishmëri për ta mbështetur atë. Kjo marrëveshje do të ishte një tjetër moment historik pozitiv nëse do të arrinim të hiqnim pengesat politike në muajt në vazhdim. Një argument pro këtij projekti është një anketim i në Barometrin e Ballkanit, sipas të cilit 42 përqind e qytetarëve kosovarë kanë konfirmuar se do të udhëtonin më shpesh brenda Ballkanit Perëndimor, nëse do të mund të lëviznin lirshëm vetëm me një kartë identiteti.

Më 5 korrik 2021, krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor nuk specifikuan një format të ri në të cilin Procesi i Berlinit duhet të vazhdonte pas këtij takimi të tetë. A mendoni se Iniciativa e Ballkanit Perëndimor do të ketë të njëjtën vëmendje edhe pasi kancelarja Merkel të mos jetë më kancelare?

Zyrtarisht, të gjithë pjesëmarrësit në Procesin e Berlinit theksojnë nevojën për vazhdimin e tij për të realizuar potencialin e plotë të bashkëpunimit të përmirësuar rajonal, gjithashtu me qëllim që të kapërcehen pasojat socio-ekonomike të pandemisë COVID-19. Tani mbetet të shihet se si do të vazhdojnë gjërat në praktikë.

Kontributi dhe angazhimi personal i kancelares Angela Merkel për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ka qenë me rëndësi të madhe. Roli i saj udhëheqës ka formësuar rajonin dhe do të ketë një efekt afatgjatë. Siç thekson Kancelarja përsëri dhe përsëri: Evropa mund të jetë e suksesshme vetëm nëse punojmë së bashku. Edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse ta dëgjojnë këtë grua të mençur dhe të bashkëpunojnë./DW

Majlinda Bregu, 47 vjeçe, e lindur në Tiranë, është Sekretare e Përgjithshme e RCC që nga 1 janari 2019. Më parë ajo ka qenë aktive në Partinë Demokratike, PD. Nën Sali Berishën si kryeministër (2007-2013) ajo ka qenë ministre për Integrimin Evropian dhe zëdhënëse e qeverisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb