Lufta mes klaneve ka sjellë të paktën 20 viktima në jug të Libisë, në qytetin Sabha pas një incidenti që kishte si shkaktar një majmun, shkruan BBC, duke iu referuar raportimeve lokale.

Një majmun shtëpie sulmoi një vajzë shkolle, çka solli hakmarrjen e familjes së saj. Tre burra dhe majmuni u vranë fillimisht. Ditë të tëra luftime pasuan mes klaneve Aëlad Suleiman dhe Guedadfa. Bilanci tragjik mund të jetë edhe më i madh, pasi bëhet fjalë vetëm për viktimat nga grupi Aëlad Suleiman.

Raportimet bëjnë të ditur gjithashtu se tanket, raketa dhe mortaja dhe armë të tjera të rënda janë përdorur në luftime, ku 50 persona të tjerë u plagosën gjithashtu.

Tre burrat që kishin majmunin dhe që u vranë nga familja e vajzës, ishin nga komuniteti Guedadfa, njësoj si ish-lideri libian Muammar Gaddafi.

Disa raportime thonë se majmuni mund t’i ketë hequr shaminë vajzës nga koka si dhe e ka gërvishtur dhe kafshuar atë. Marrëdhëniet mes dy komuniteteve thuhet se kanë qenë të tendosura për shumë vite.

Sabha është një qendër për trafikimin e emigrantëve dhe të armëve në jug të Libisë, shpesh e neglizhuar. Libia është shkatërruar plotësisht nga konfliktet që kur Kolonel Gaddafi u rrëzua në vitin 2011.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: