Nga: ZONJA KATERINA

200 gr makarona
½ qepë të thatë
½ presh (pjesa e bardhë)
1 patate
1 karrotë
1 kungull
½ spec të kuq
1-2 lgj pure domate
1 kokërr domate
3-4 gjethe selinoje
2-3 lgj vaj ulliri
2 litra ujë
1 koncentrat perimesh ose pule
100 gr djathë kaçkavall
Kripë, piper

Fillimisht grijmë perimet në kubikë të vegjël.

Në një tigan të thellë ose tenxhere hedhim vajin e ullirit dhe kaurdisim lehtë qepën dhe preshin e grirë imët. I spërkasim me pak kripë dhe piper dhe më pas shtojmë karrotën, specin dhe pataten. Vazhdojmë kaurdisjen për 2-3 minuta dhe më pas shtojmë domaten të grirë në rende pa lëkurë së bashku me purenë e domates. Rregullojmë shijen me pak piper dhe me pak koncentrat pule ose perimesh të thërrmuar. Shtojmë gjethet e selinosë dhe në fund ujin e ngrohtë. Vendosim kapakun dhe i lemë perimet të ziejnë për rreth 15-20 minuta në temperaturë mesatare.

Pas këtij minutazhi shtojmë makaronat dhe i lemë të ziejnë për 8 minuta, fikim sobën dhe e lemë gatimin të qëndrojë për disa minuta në nxehtësinë e saj dhe më pas e servirim duke vendosur në anë të pjatës djathin parmixhano.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb