“Makbethi” i Uilliam Shekspir vjen në Tiranë i rishikuar. Me dramaturgji që i qaset politikanëve të 30 viteve të fundit por jo më pak atyre të 70 viteve të fundit, Ledi Makbeth vdes në vilën e diktatorit Hoxha madje në një nga dhomat e saj e rrethuar nga fantazmat, pasi bashkë me të shoqin i kanë lyer duart me gjak. Vila e diktatorit bëhet skena e një shfaqjeje me skena shumë filmike, duke rimarrë një element shtesë në vazhdën e relativizimit të së keqes që ajo bart, nga seli i vendimmarrjeve makabre, në një pikë kokteilesh, promovimesh e pritjesh.

Teksti i Shekspirit, është zanafillë e metaforë e shfaqjes së Teatrit Eksperimental. Përtej tij, Makbethi dhe e shoqja veshin petkun e shumë abuzuesve me pushtetin, lehtësisht të identifikueshëm, nga teksti, vendimet, veprimet a gjestikulacioni në mizaskena apo në intervista që zënë vend para publikut, pa pranuar krime e pa bërë mea culpa, por duke dhënë leksione shtetbërjeje e jete të niveleve të larta.

Në datat 10, 11, 12, 15, 16, 17, 18 dhjetor 6 aktorë aktualizojnë Shekspirin, duke i dhënë zë pushtetit absolut e vrasjeve pa limit, në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, ku zoti dhe vrasësi është ai dhe ajo. Hyrja është falas por vendet në vilën 31, janë pak, ndaj rezervimi duhet bërë në kohë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb