Të gjithë fansat e tij u frikësuan jo pak të hënën, kur disi me vonesë u shpërnda lajmi se Kristiano Ronaldo mund të kishte pësuar një aksident të frikshëm në Majorka ku po kalon aktualisht pushimet. “Ultima Hora” ishte media e parë që solli fotot nga vendi i aksidentit, por pas disa minutash u raportua se veturën nuk e ngiste kampioni i futbollit, por një prej truprojave të tij binjak, i cili kishte humbur kontrollin e mjetit. Dhe nuk po flasim për një makinë dosido, por për një “Bugati Veiron Grand Sport Viteshe”, me vlerën e çmendur prej 2.1 milionë eurosh.

Automjeti sportiv u përplas ashpër me murin e një shtëpie në një prej rrugëve periferike të Majorkës dhe pësoi dëmtime jo të vogla, të cilat sigurisht do të kenë një faturë të majme financiare për të sjellë makinën në gjendje normale. Fatmirësisht, pas kësaj ngjarjeje nuk pati asnjë të dëmtuar, edhe pse pronari i shtëpisë që pa makinën e CR7-ës të shembte murin e tij u shqetësua jo pak fillimisht:

“Goditja e fortë më shkatërroi një pompë uji, e cila më krijoi një liqen në oborr dhe prej ditësh është vështirë që toka ta thithë. Në të njëjtën kohë dera e hyrjes fluturoi disa metra larg, por u shembën edhe dy kolona çimentoje. Madje, fare pranë vendit të aksidentit qëndronte edhe kolibja e qenit tim, i pari tek i cili vrapova. Në momentin e parë mendova se ma kishin vrarë. Por pasi u afrova e pashë atë që të dridhet nga frika e goditjes dhe zhurma e fortë, – vazhdon pronari i shtëpisë së dëmtuar, që më pas tregon edhe takimin me pronarin e automjetit.

Për të dalë jashtë m’u desh që të prisja pak dhe përpara meje gjeta një djalë dhe një vajzë shumë të edukuar. Ata më qetësuan për dëmet dhe më premtuan që të nisja menjëherë rindërtimin, të ruaja faturën dhe gjithçka do ta merrnin përsipër ata. Më sqaruan se automjeti i kujt ishte dhe pasi folën në telefon më ftuan që të takoj edhe Ronaldon e Xheorxhinën, dy personat më të respektueshëm që kam takuar në jetë. Kristiano më tha që as të mos merresha me autoritetet vendëse apo kompaninë e siguracioneve. Për të mos hapur procedura të kota që mund të hanin kohë, do të merrej ai me të gjitha, nga rindërtimi te pagesat”. Ky gjest, kjo marrje përgjegjësie, nderon edhe më shumë kampionin Kristiano Ronaldo./panoramaplus

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb