Shkarkohet nga detyra drejtori i Inspektoratit të Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit dhe Pyjeve në Shkodër Jetmir Lumaj. Shkak për shkarkimin e tij sipas burimeve është bërë një mjet me lëndë drusore i cili është konstatuar në zonat malore të Shkodrës dhe madje janë publikuar disa video.
Prerja e drurëve është e ndaluar por mesa duket kohët e fundit persona të ndryshëm kanë vijuar të pa shqetësuar prerjen e pyjeve duke e kthyer në një problem. Pas konstatimit të mjeteve përmes videove është vendosur shkarkimi i drejtorit Lumaj për mungesë të eficencës në punë.

Prej kohësh është përfolur për prerjen e paligjshme të pyjeve në zonat malore të Shkodrës por nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje. Në disa raste policia vendore e Shkodrës ka goditur këta persona, por prerja e pyjeve ka vijuar nga të tjerë ndërsa ka pasur momente kur është sekuestruar vetëm lënda drusore sepse autorët e dyshuar kanë braktisur mjetet e tyre në mes të rrugës. Jetmir Lumaj ka vetëm pak kohë që është emëruar si drejtor i Inspektoratit të Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit dhe Pyjeve por nuk zgjati shumë në këtë detyrë duke u shkarkuar pas këtij rasti të provuar me video. Ky mjet është ndjekur përgjatë gjithë rrugës në itinerarin që ka zhvilluar duke provuar se ka lëvizur i lirë me lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.

Kjo lëndë drusore përdoret nga një pjesë e qytetarëve për ngrohje në këtë periudhë të dimrit kur temperaturat janë të ulëta për shkak se ka një çmim më të lirë se lënda drusore që importohet nga Mali i Zi kryesisht apo ndonjë vend tjetër. Tashmë duhet pritur se kush do të jetë emri që do të zëvendësojë Jetmir Lumajn në postin e drejtorit të IKMT Shkodër pas shkarkimit të tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb