Ata që ngasin makinën mund të mos e dinë që makina i spiunon duke mbledhur informacion për lëvizjet e tyre. Agjencitë e rendit në Shtetet e Bashkuara janë ndër entitetet më të zellshme për të analizuar këto të dhëna që mblidhen nga automobilistët dhe itineraret e tyre.

“Kjo teknologji mbledh informacionin nga makina, e transmeton me Bluetooth apo me lidhjen Wi-Fi në telefon dhe në atë mënyrë mund të shihni të dhënat që mblidhen,” thotë eksperti i sigurisë Mark Rasch.

Sistemi quhet “mjetet e diagnostikimit” dhe përbëhet nga gjysmë-procesorë e programe kompiuterike që mbledhin të dhëna nga makina. Shumë njerëz mendojnë se kjo shërben për të ndihmuar për riparimin e makinës, por në fakt këto të dhëna kanë një përdorim shumë më të gjerë.

“Kamera, mikrofoni apo ndjesorët përcjellin informacion që mblidhet dhe regjistrohet. Këto të dhëna janë minierë ari për kompanitë e reklamave, të sigurimeve, agjencitë rregullatore dhe të rendit,” thotë eksperti Rasch.

Ndër këto institucione rendi përfshihet Agjencia për Mbrojtjen e Kufirit.

Afro pesë vjet më parë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare, ku përfshihet Agjencia për Mbrojtjen e Kufirit organizoi një kurs mbi programet kompiuterike që mbledhin të dhëna nga makinat.

Këto të dhëna përfshijnë itinerarin, sa herë hapet e mbyllet dera e makinës. Nëse shoferi i mban duart mbi timon. Ku ndalon makina dhe për sa kohë.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës Agjencia për Mbrojtjen e Kufirit pohoi se blen teknologjinë për të analizuar provat në kuadër të punës për sigurimin e kufirit. Agjencia nuk përmendi të dhënat nga lëvizja e automjeteve.

Lëvizja me automjet përmban shumë të dhëna. Aktivistët për privatësinë janë të alarmuar.

“Në rastin e Agjencisë për Mbrojtjen e Kufirit, ky department ka autoritet të gjerë në kufi. Prandaj mendoj se Kongresi dhe gjykatat duhet të veprojnë për të garantuar një mbrojtje më të mirë të privatësisë në bazë të Amendamentit të Katërt,” thotëJohn Davisson i Qendrës së Informimit për Privatësinë Elektronike.

Kushtetuta amerikane mbron qytetarin nga kontrolle të paarsyeshme dhe nga sekuestrimi i zotërimeve. Roja e Kufirit është kritikuar për sekuestrimin e kompiuterëve dhe celularëve pa urdhër gjykate. Por gjykatat nuk kanë dalë me një vendim të qartë se çfarë kompetencash ka qeveria federale.

Shumë amerikanë nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun. Ana Reyes u habit kur mësoi se sistemi kompiuterik në makinë regjistronte numrat e telefonatave, listën e këngëve dhe mesazhet që kishte dërguar ajo.

Kompania për prodhimin e automjeteve General Motors, i tha Zërit të Amerikës se përdoruesit mund të zgjedhin si përdoren të dhënat duke kërkuar të përjashtohen nga programi i grumbullimit të informacionit.

Kritikët thonë se të paktë janë ata që e dinë se ekziston ky program dhe janë në gjendje ta anulojnë.

Ekziston mundësia që pronari i makinës të fshijë të dhënat e mbledhura, por kjo nuk është e lehtë në makina që merren me qera.

Shoqata Amerikane për Makinat me Qera është pjesë e një koalicioni që i ka kërkuar Kongresit të miratojë një ligj për fshirjen e të dhënave.

“Duhet të hartohen ligje federale për ta zgjidhur këtë problem, pasi asnjë kompani që ka ndoshta 200 makina që jep me qera nuk mund t’i fshijë të dhënat nga çdo makinë,” thotë Greg Scott, anëtar i shoqatës.

Babai i Anës, Juan Jose Reyes nuk ka në plan ta anulojë programin për mbledhjen e të dhënave por gjithsesi shqetësohet për informacionin që kanë mbledhur sistemet e makinave të tjera dhe i trembet mundësisë së shenjestrimit për arsye etnike e racore.

“Të mos harrojmë se të gjithë jemi të pafajshëm deri kur të vërtetohet fajësia. Thjesht se i përket një grupi etnik, hispanik apo tjetër, nuk duhet të ndeshesh me policinë kufitare apo agjentët e imigracionit që duan të nxjerrin informacion privat prej nesh,” thotë zoti Reyes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: