Nga SPARTAK KOKA

TIRANË – Makina që duket në foto dyshohet se është përdorur në atentatin e mëngjesit të 10 shkurtit në banesën e Alfred Nomanit, Shefit të Krimeve të rënda në Policinë e Korçës. Kjo është një ndër dy pistat kryesore ku është fokusuar grupi hetimor.

Me këtë makinë tip « Benz » në ngjyrë të bardhë, targat e të cilës ende nuk janë identifikuar, dyshohet se dy persona kanë vendosur fillimisht lëndën eksplozive në sheshpushimin e katit të pestë në banesën e Alfred Nomanit dhe më pas janë larguar nga rruga « Arben Minga » në drejtim të rrugës « Ali Baushi », rrugës « Xhanfize Keko » dhe rrugës « Sadik Petrela », vendi i fundit ky ku e kanë fiksuar atë, kamerat e sigurisë së bizneseve.

Kjo makinë është fiksuar tek largohej në orën 3:55 minuta ose thënë ndryshe, 4 minuta para shpërthimit dhe 1 minutë pasi banorët e pallatit kanë telefonuar në polici.

Sipas burimeve nga grupi i oficerëve të Policisë Gjyqësore që po merren me çështjen, makina dyshohet se ka kaluar në drejtim të urës së Shkozës dhe më pas në drejtim të Farkës. Për këtë dyshim po vijojnë hetimet, pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë në bizneset e kësaj zone.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb