RUSI-Lyuda Savchuk, nënë e dy fëmijëve, ka folur publikisht për eksperiencën e saj si punonjëse e makinerisë së fuqishme propagandistike të Kremlinit, që synon devijimin e opinionit publik jo vetëm në Rusi, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë. Kjo makineri rezulton të jetë testuar tashmë me sukses në Serbi.

Ish-kolegët e saj janë burra dhe gra që punojnë me turne 12-orëshe për një organizatë që funksionon pa pushim 24 orë në ditë, duke mbytur internetin me propagandë për t’i imponuar opinionit publik në Rusi dhe në botë vizionin e Presidentit Vladimir Putin.

Zonja Savchuk, një gazetare 34-vjeçare, punoi dy muaj në një godinë të Shën Pjetërburgut, e njohur tani si “fabrika e gjinkallave” dhe pastaj u largua. Ajo thotë se që në fillim kuptoi se diçka nuk shkonte, por ende nuk i kishte kuptuar përmasat e mëdha të asaj që ndodhte atje.

Zonja Savchuk tregon sesi “gjinkallat” menaxhojnë shumë llogari në mediat sociale, me emra fallco dhe nofka të ndryshme. Në seksionin e saj kishin detyrën të krijonin 160 postime gjatë një turni 12-orësh.

“Është si një shkollë ku ‘gjinkallave’ u kërkohet të përsërisin çfarë u thuhet. Çdo drejtori funksionon në mënyra të ndryshme. Në disa drejtori, njerëzit marrin çdo ditë detyra të ashtuquajtura teknike me udhëzime të detajuara për çfarë duhet të shkruajnë dhe si, çfarë mendimesh duhet të nxisin dhe çfarë emocionesh duhet të ngjallin.”

Zonja Savchuk thotë se shumica e punonjësve janë në moshë të re dhe joshen nga rroga relativisht të larta deri në 1000 dollarë në muaj. Ajo është e para që ka dalë publikisht, dhe përshkrimet e saj përkojnë me ato të dy ish-punonjësve të tjerë të cilët nuk kanë guxuar të tregojnë identitetin e tyre. “Gjinkallat” punësohen nga Agjensia për Kërkimin në Internet, që sipas mediave ruse financohet nga një kompani në pronësi të kuzhinierit personal dhe mik i Presidentit Putin.

“Ata ndodhen kudo nëpër internet, pavarësisht se çfarë faqeje hap: në shtyp, në mediat sociale, në gazetat online. Ndodhen kudo. Është një makth. Ata fshihen prapa emrave dhe llogarive të ndryshme dhe mund të shkruajnë pa fund,” thotë zonja Savchuk.

Ata që kanë punuar aty nuk kanë asnjë dyshim se operacioni drejtohet nga Kremlini, i cili vendosi të rrisë praninë në internet pas protestave anti-Putin në fund të 2011-s dhe fillimin e 2012-s, të cilat u organizuan përgjithësisht nëpërmjet internetit.

Numri i ‘gjinkallave’ është rritur së tepërmi pasi Rusia u vendos nën fokusin e kritikave të Perëndimit për rolin e saj në Ukrainë, ku pro-separatistë rusë luftojnë kundër trupave qeveritare. Propaganda e Kremlinit ka ndihmuar në forcimin e mbështetjes së publikut rus për presidentin.

Ka patur sukses edhe jashtë vendit, më tepër në Serbi, një vend i Ballkanit që është i dyzuar ndërmjet lidhjeve tradicionale me Rusinë dhe dëshirës për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian. Disa parti të vogla të spektrit të djathtë në Serbi, të cilat janë të motivuara financiarisht dhe politikisht nga Rusia, kanë punësuar ‘gjinkallat’ e tyre. Kur udhëheqësi opozitar rus Boris Nemtsov u vra në Moskë në muajin shkurt, ‘gjinkallat’ reaguan me shpejtësi. Pyetja “Kush fiton nga kjo vrasje, përveçse Amerika? Duhet të ketë qenë CIA” u bë me shpejtësi frymë e diskutimit në komentimet e shumë portaleve të internetit në Serbi. Gjithashtu, në Serbi ekziston tashmë një opinion i kudondodhur se regjimi i Kievit është neo-nazist, se Putini veproi drejt duke aneksuar Krimenë, dhe se e gjithë Ukraina lindore duhet të jetë pjesë e Rusisë.

“…Është një projekt i organizuar, jo vetëm nga rusët, por edhe nga shumë të tjerë në qeverinë e Serbisë. Rezultati është një ndotje totale e sferës publike me falsitetin e një marrëdhënieje historike Serbi-Rusi, një indoktrinim që vazhdon dhe sot për sa i përket rolit të Rusisë në botë,” thotë analistja politike Jelena Milic.

Një ndër të parët që raportoi për ekzistencën e të ashtuquajturave “fabrikave të gjinkallave” është gazetari Andrei Soshnikov, i cili njoftoi se në godinën ku punonte zonja Savchuk kishte rreth 400 vetë, dhe se me rritjen e operacioneve ata u zhvendosën në një godinë më të madhe në mars 2014, muaji kur Rusia aneksoi Krimenë.

Zoti Soshnikov thotë se gjatë muajve të fundit ishte rritur kërkesa për të punësuar më shumë njerëz anglisht-folës, me qëllimin për të devijuar opinionin publik në Shtetet e Bashkuara. Ai informon se “gjinkallat” udhëzohen të shtiren fillimisht sikur janë shtetas amerikanë, që bëjnë një jetë normale, por që gjoja papritur hasin me lajme të rrjetit “Rusia sot”, e cila fillon t’u hapë sytë për ta parë Rusinë si një tokë të shenjtë, dhe për të kuptuar se Presidenti amerikan Obama është realisht një diktator dhe se liria e shprehjes ekziston vetëm në Rusi.

Gjatë samitit të këtij muaji, Bashkimi Evropian pritet të miratojë një plan për të përballuar fluksin e dezinformimit që vërshon prej organizatave ruse të lajmeve.

(d.d/Voa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: