TIRANE- Arkitekti, piktori dhe shkrimtari i njohur, Maks Velo e kundërshton projektin e qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Gjatë një interviste në ‘Studio e Hapur’, në ‘News24’ Maks Velo tha se logjika e shembjes nuk të çon asgjëkundi dhe theksoi se teatri është në harmoni të plotë me godinat e bulevardit qendror të qytetit. Në gjithë këtë debat të prishjen apo jo të teatrit, arkitekti dhe artisti i njohur vëren 4 problematika kryesore.

“Për mua, nuk duhet shembur. Aty ka katër probleme. Problemi i parë është i tokës, problemi i dytë është i teatrit, problemi i tretë është trashëgimia dhe i katërti projekti. Shpesh, mundohen t’i ngatërrojnë këto të katërta, ndonëse ato janë probleme veç e veç. Për mua, ajo tokë i duhej dhuruar Teatrit, për faktin se për kaq vjet, aty është zhvilluar një aktivitet i madh, janë krijuar institucione. Unë kam qenë në teatër që në vitin 1950. Kam parë edhe “Prefektin” me Behije Çelën, etj.. Kam bërë disa skenografi, kur drejtor ka qenë Xhemal Broja, i cili më ka ftuar. Aty janë themeluar të gjitha institucionet e kulturës. Aty është themeluar Teatri i Kukullave, Ansambli i Ushtrisë, Orkestra Filarmonike, në 1953 kam qenë aty kur Krantja dirigjoi Filarmoninë e Tiranës, pastaj kam parë baletet “Shatërvani i Bahçisarajit”, “Rusalkën”, etj.. Ka një manipulim, një goditje të keqe ndaj ndërtesës, me justifikimin: vajza ime është 2 vjeç dhe nuk e di se çfarë është bërë aty dhe ta shembim. Me këtë logjikë, edhe unë nuk kam qenë në kohën e Ismail Qemalit dhe le ta shembim shtëpinë e Vlorës, që, për mua, s’ka asnjë rëndësi dhe nuk kam asnjë lidhje me të, ose me godinën ku u mbajt Kongresi i Lushnjës. Unë kam lindur në vitin 1935, ç’lidhje kam unë me të. Vlerat vijnë nga vjetërsia. Francezët shitën një shishe vere të 1774-ës, 103 mijë euro. Kantina e ka mbajtur që në 1774-n. Kjo e bën vlerë dhe jo aftësia që të bësh një verë të re. Trashëgimia është pikërisht transmetimi, grumbullimi dhe ruajtja e vlerave, sepse ne kaq kemi. Unë e di mirë dhe më dhembi që këta (aktorët) ishin shumë keq kur shkuan në Londër te “Shekspiri”, por ne këtë nivel kemi. Nuk është se ne në fusha të tjera jemi shkëlqyeshëm. Është gabim i rëndë. Trashëgimia jonë aty është. Se kaq kemi. Teatri ka vlera. Ne po ngrejmë lart e poshtë gjëra gjigande dhe nuk ka harmoni ndërmjet gjërave. Nëse do ndërtohen ato godina pas, ke disa ndërtesa të larta, dhe tërë atë qarkullim. Nëse vendos edhe 10 mijë banorë aty..është shumë e diskutueshme. Argumentet me zjarrfikëse janë qesharake”, tha Velo.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: