KUALA LUMPUR

Sot në kryeqytetin e Malajzisë u bë hapja e Samitit të Kuala Lumpurit 2019, i cili do të fokusohet në gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat ballafaqohet bota islame, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Malajzisë, Mahathir Mohamad, i cili bëri hapjen e samitit, informoi mediumet dhe pjesëmarrësit në lidhje me përmbajtjen e këtij takimi.

Mahathir tha se ky samit organizohet me qëllim për të siguruar zhvillimin e muslimanëve në botë.

“Shpresoj që në fund të samitit, të shfaqen iniciativa që do të mundësojnë që të bëhen gjëra edhe më të mëdha më shpejt”, tha Mahathir, duke shtuar se bota islame duhet ta trajtojë fenomenin e Islamofobisë.

Ai tha se në këtë samit rëndësi do t’i jepet mesazhit se çfarë përfaqëson Islami i vërtetë.

“Sipas mendimit tonë, Islami na organizon të jetojmë në paqe me jomuslimanët, të bashkëpunojmë dhe të jetojmë në harmoni”, deklaroi Mahathir.

Në ditën e dytë të Samitit të Kuala Lumpurit 2019, fjalime do të mbajnë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin hamad al Thani, dhe presidenti i Iranit, Hassan Rouhani.

Fjalime pritet të ketë edhe nga figura si zëvendëskryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Numan Kurtulmuş, ish-kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Khalid Meshal, dhe kryeparlamentari i Tunizisë, Rached Gannouchi.

Samiti i Kuala Lumpurit 2019

Shumë mendimtarë muslimanë, shkrimtarë, akademikë, liderë dhe përfaqësues të shoqërisë civile do të këmbejnë mendime mbi shtatë tema kryesore të Samitit të Kuala Lumpurit 2019.

Temat kryesore të samitit do të jenë “Paqja, Siguria dhe Mbrojtja”, “Drejtësia dhe Liria”, “Zhvillimi dhe Sovraniteti”, “Tregtia dhe Investimet”, “Teknologjia dhe Menaxhimi i Internetit”, “Kultura dhe Identiteti” dhe “Saktësia dhe Qeverisja e Mirë”.

Në këtë kuadër, samiti do të përqendrohet në katër objektiva: ringjalljen e civilizimit islam, zgjidhjet për problemet e botës muslimane, kontribuimin në zhvillimin e shoqërive muslimane dhe krijimin e një rrjeti liderësh, intelektualësh dhe mendimtarësh të botës islame.

Problemet rajonale dhe etnike që prekin nga afër botën islamike, si Palestina, Siria, Arakani, Kashmiri dhe Turkistani Lindor, gjithashtu do të jenë ndër pikat e rendit të ditës të samitit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb