Qeveria e Malajzisë, pas shqetësimeve se vaksina e zhvilluar nga kompania AstraZeneca kundër koronavirusit të ri (COVID-19) shkakton mpiksje të gjakut, hoqi vaksinën nga Lista e Programit të Imunitetit Kombëtar ndaj COVID-19.

Khairy Jamaluddin, ministri malajzian i Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në një deklaratë për gazetarët theksoi se kanë marrë në konsideratë dyshimet e qytetarëve pavarësisht se është provuar që vaksina AstraZeneca nuk ka ndonjë rrezik.

“Pas bisedës me kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë kemi hequr vaksinën AstraZeneca nga lista e vaksinave të miratuara në kuadrin e Programit të Imunitetit Kombëtar ndaj COVID-19. Për të mos çuar dëm stokun e vaksinave që posedojmë, vaksinën AstraZeneca do ta aplikojmë vetëm tek qytetarët vullnetarë”, tha Jamaluddin.

Qeveria e Malajzisë kishte në planifikim që të aplikonte tek qytetarët mbi 60-vjeç 268.800 doza të vaksinës AstraZeneca të cilat mbërritën në vend më 23 prill në kuadrin e programit COVAX.

Në Malajzi popullsia e së cilës po afrohet rreth 32 milionë, qeveria ka arritur marrëveshje për të siguruar gjithsej 66,7 milionë doza të vaksinave nga Pfizer-BioNTech, Sinovac, CanSinoBIO dhe Sputnik V.

Deri më sot në Malajzi janë vaksinuar 1.335.641 persona dhe qeveria planifikon që të sigurojë imunitet në masën 70 për qind.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb