KUALA LUMPUR

Qeveria e Malajzisë njoftoi se është i papranueshëm i ashtuquajturi plani i paqes për Lindjen e Mesme i presidentit amerikan Donald Trump.

Kryeministria malajziane në një deklaratë ka theksuar se Palestina ka plotësisht të drejtë në refuzimin e kësaj marrëveshjeje. “Palestinës si pala që është përballur për një kohë të gjatë me pushtimin e Izraelit, nuk i është marrë mendimi dhe nuk është përfshirë në procesin për formulimin e këtij propozimi”, thuhet në deklaratë.

“Plani në fjalë, është i njëanshëm dhe shpërblen Izraelin për pushtimin e tij. Ky është një propozim i papranueshëm, dhe përveçse është jashtëzakonisht i padrejtë për palestinezët, ai synon të përjetësojë padrejtësitë që kanë duruar për një kohë të gjatë”, theksohet në deklaratë.

Pasi vihet theksi se Malajzia do të vazhdojë të mbrojë formimin e një shteti të pavarur të Palestinës i cili bazohet në kufijtë e vitit 1967, në deklaratë është bërë vlerësimi se “Malajzia në kuadër të rezolutave të Kombeve të Bashkuara do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e saj për çdo përpjekje të drejtë dhe konkrete me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez”.

I ashtuquajturi “Plani i paqes” i Trumpit

Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një konferencë të përbashkët për media të martën më 28 janar në Shtëpinë e Bardhë prezantuan për opinionin publik në mënyrë të njëanshme të ashtuquajturin “Plani i paqes për Lindjen e Mesme”.

Në kuadër të planit në fjalë Trump theksoi se Kudsi do të njihet si kryeqyteti i “pandarë” i Izraelit dhe gjithashtu pretendoi se plani ishte “shansi i fundit” për palestinezët dhe për një shtet të pavarur palestinez.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb