Drejtori teknik i Milanit, Paulo Maldini i është përgjigjur shumë pyetjeve të bëra nga gazetarët, duke dhënë kështu mendimin e tij për situatën e skuadrës, klubit apo edhe për çështjen Leao.

Si e keni parë skuadrën në këto ditë?

Problemet i kemi pasur me rezultatet. Po punojmë për të dalë nga ky moment. Më vjen mirë që kemi gjetur kaq shumë mirëkuptim e mbështetje nga tifozët. Uroj t’u dhurojmë sa më shumë kënaqësi deri në fund të sezonit.

Ka ndonjë të re në lidhje me rinovimin e Leaos?

Vullneti ynë nuk ka ndryshuar, por në ditë si kjo mendojmë vetëm për ndeshjen.

Si ish-mbrojtës, a ju pëlqen prapavija me tre e Milanit?

Europa është e vështirë dhe diferenca mes nesh dhe kundërshtarëve është e jashtëzakonshme në aspektin ekonomik. Do të kisha dashur që një ndeshje si kjo me Totenhemin ta përballonim pa kaq shumë dëmtime, ndaj edhe moduli i ri është diktuar nga situata.

Si e shpjegoni krizën e janarit?

Me faktin që Milani ka qenë disi i sëmurë krahasuar me atë që fitoi titullin vitin e kaluar. Mungojnë disa lojtarë dhe së fundmi kemi ndryshuar skemën, ndaj duhet të kompensojmë problematikat me një qasje agresive, që nuk duhet ta na nxjerrë nga natyra jonë.

Me kaq probleme sa ka pasur Milani, a mund të luanit ju për të paktën disa javë…

Nëse më shihni se si eci do të kuptonit që nuk do të isha i dobishëm. Topi më duket shumë i rëndë e sa herë e prek më duket sikur do të më thyhet këmba. Momenti që po kalojmë është i vështirë, por mjafton një shkëndijë e vogël për t’u rikthyer në nivelet e pak muajve më parë.

Sidoqoftë, Çao nuk po bën keq?

Nuk dua të komentoj askënd, sepse fjalët e mia mund të jenë pozitive, por edhe të ngarkojnë me presion një lojtar. Me Çaon, ashtu si me Vranskin, kam folur e i kam këshilluar të punojnë. Cilësitë i kanë kështu që duhet vetëm të këmbëngulin.

Shumëkush mendon se ajo seri rezultatesh negative ishte normale…

Deri diku ashtu e mendoj edhe unë. Rrugëtimi i një skuadre mund të ketë shumë ulje-ngritje. Momenti ynë i keq përkoi me eliminimin nga Kupa e Italisë dhe humbja në finalen e Superkupës.

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: